Lidhje

SHBA: demokracia në Sërbi vazhdon të funksionojë - 2003-11-18


Zgjedhjet e Sërbisë, të cilat u shpallën përsëri të pavlefshme, u pasuan me lajme rreth një vakumi në pushtet dhe të një krize politike në Beograd. Por departamenti amerikan i shtetit insistoi se procesi demokratik në këtë vend ballkanik vazhdon të funksionojë dhe se zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm mund të krijojnë kushtet për kapërcimin e gjendjes aktuale.

Vetëm rreth 38 përqind e votusve të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, shumë më pak se sa 50 përqindëshi i kërkuar për t’i shpallur ato të vlefshme.

Fituesi i më shumë vota ishte Tomisllav Nikoliç, kandidati i Partisë Radikale Sërbe, një parti ultra-nacionaliste me lidhje të ngushta me ish presidentin Sllobodan Millosheviç.

Në një konferencë shtypi në departamentin e shtetit, zëdhënësi Richard Boucher tha se si pjesëmarrja e ulët ashtu edhe mbështetja relativisht e fortë për zotin Nikoliç dhe partinë e tij, ishin faktorët që ndikuan shumë në bojkotimin e zgjedhjeve nga 2 fraksione politike të moderuara.

“Kjo tregon faktin se 2 parti të mëdha demokratike dhe që mbështesin reformat vendosën t’i bojkotojnë zgjedhjet. Pjesëmarrja e ulët në votime bëri që të ekzagjerohej rezultati i siguruar nga Partia Radikale Sërbe. Përkrahësit e kësaj partia vazhduan të shkonin në qendrat e votimit, prandaj zoti Nikoliç fitoi një numër votash thuajse të barabartë me votat që fitoi në zgjedhjet e mëparshme. Më 28 dhjetor në Sërbi do të ketë një provë tjetër të mbështetjes për partitë politike, ndoshta një provë më e mirë e mbështetjes së përgjithshme, kur zgjedhësit sërbë të hedhin votat e tyre për përfaqësuesit në një parlament të ri të Sërbisë.”

Zëdhënësi Boucher tha se pas zgjedhjeve të dhjetorit, do të varet nga parlamenti i ri që të vendosë se ç’duhet bërë rreth ngecjes lidhur me zgjedhjet presidenciale. Edhe në dy zgjedhjet e mëparshme nga fundi i vitit të kaluar morën pjesë më pak se 50 përqind e votusve.

Posti i presiderntit në Sërbi ka qënë bosh që kur mandati i aleatit të Millosheviçit, Millan Millutinoviç, përfundoi më 5 janar të këtij viti. Më pas ai pësoi fatin e eprorit të tij, duke u arrestuar nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës, ku përballet me akuza, që e kanë burimin nga dëbimi në masë i shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre në vitin 1999.

Zëdhënësi i departamentit të shtetit Boucher e cilësoi ligjin që kërkon pjesëmarrjen minimale prej 50 përqind të votusve në zgjedhje si një kërkesë të çuditshme dhe vuri në dukje se ishte miratuar nga qeveria tashmë e përmbysur e Millosheviçit.

Ai tha se kjo kërkesë mund të përshkruhet si një tabletë helmuese për demokracinë sërbe e lënë pas nga një ish diktator, por ai shtoi se sidoqoftë fakti është se demokracia në Sërbi po funksionon.

//ze//

XS
SM
MD
LG