Lidhje

10 milionë dollarë për kapjen e ndihmësit kryesor të Sadam Huseinit - 2003-11-19


Shtetet e Bashkuara kanë caktuar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacion rreth zëvendësit kryesor të Sadam Huseinit, Izat Ibrahim al-Duri, për të cilin mendohet se është pas sulmeve të kohëve të fundit kundër trupave amerikane.

Shpërblimi e bën zotin al-Duri personin më të kërkuar në Irak, pas vetë Sadam Huseinit. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka caktuar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacion që çon në kapjen e ish presidentit irakian.

Koalicioni thotë se shtëpitë e zotit al-Duri ishin mes objektivave të sulmeve ajrore të kësaj jave kundër kryengritësve në Irak. Këto sulme vazhduan edhe mbrëmë gjatë natës dhe sot, gjatë të cilave avionët hodhën disa prej bombave më të mëdha të përdorura që nga përfundimi i operacioneve luftarake në shkallë të gjerë 6 muaj më parë.

Zyrtarë të koalicionit thanë se gjatë operacionit u shkatërruan disa ndërtesa, por ende nuk ka njoftime për viktima. Në frontin politik, ka njoftime se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të propozojnë një projektrezolutë të re më Kombet e Bashkuara në përpjekje për të siguruar mbështetjen për propozimin që një qeverie përkohëshme irakiane të marrë pushtetin vitin tjetër.

Diplomatë të OKB-së dhe zyrtarë amerikanë citohen të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që projektrezoluta do të çojë në rritjen e rolit të OKB-së në Irak në mbështetjen ndërkombëtare të planit për krijimin e një qeverie të përkoshme nga mesi i vitit tjetër.

//rd//

XS
SM
MD
LG