Lidhje

Bugajski: Shqipërisë i duhet një udhëheqje e fortë - 2003-11-27


Analisti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski, thotë se zhvillimet e fundit politike në Shqipëri janë rrjedhojë e një lufte personale për pushtet se sa e një luftë ideologjike ose politike. Ai thotë se kriza ndodh në një kohë kur vendit i duhet një udhëheqje e fortë dhe e bashkuar. Zotin Bugajski e intervistoi kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës Zoti Bugajski, përsëri në Shqipëri kemi një krizë të qeverisjes. Në ç’drejtim po shkon vendi? Ju ishit kohët e fundit në Shqipëri, a mendoni se kryeministri Fatos Nano është i aftë ta qeverisë vendin me efektivitet në këto kushte?

Janush Bugajski Ai mund ta qeverisë vendin me efektivitet vetëm nëse ka një kabinet të plotë. Dhe për Shqipërinë është me shumë rëndësi që ajo të ketë si një ministër të jashtëm edhe një ministër të brendshëm, të cilët tani nuk i ka. Më e keqja që mund të ndodhë në këto kushte është një krizë kushtetuese për shkak se vendi nuk ka një qeveri të plotë. Dhe në një rast të tillë, alternativa e vetme do të ishin zgjedhjet e reja. Është e qartë se në qarqet qeverisëse, në udhëheqjen socialiste ka një luftë të madhe për pushtet, e cila përfshin shumë aktorë në krye të partisë. Mendoj se, nëse në këto kushte një qeveri tani në Shqipëri është apo jo në gjendje të qeverisë, qoftë në planin e luftës së brendshme por edhe në kuptimin e zbatimit me sukses të reformës, kjo përbën një pikëpyetje të madhe.

Zëri i Amerikës Zoti Bugajski, përvoja e viteve të fundit tregon se Shqipëria shumë lehtë rrëshqet drejt krizave dhe njerëzit shtrojnë pyetjen nëse kemi të bëjmë me kriza idesh për qeverisjen e vendit apo thjesht me një luftë klanesh për para dhe për pushtet?

Janush Bugajski Përshtypja ime është se kjo është më tepër një luftë personale se sa një luftë ideologjike ose politike. Mendoj se fjala është për disa grupe interesash politike që konkurrojnë për pushtet, jo domosdo në një mënyrë antidemokratike por në një kohë kur vendit i duhet një udhëheqje e mirë, një udhëheqje e fortë dhe e bashkuar. Kjo krijon probleme të reja. Krijon probleme sepse procesi i reformës nuk zbatohet në gjerësinë e duhur. Krijon probleme sepse komuniteti ndërkombëtar e shikon vendin si të paqendrueshëm. Gjithashtu sepse krijon mungesë legjitimiteti: sa më shumë kjo të vazhdojë, aq më pak legjitimitet publik do të kenë autoritetet.

Zëri i Amerikës Dhe cilat mendoni ju se janë rrënjët e problemit. A ka një shkak të vetëm, një arësye të vetme?

Janush Bugajski Nuk ekziston një rrënjë e vetme. Mendoj se pjesë e kësaj është trashëgimia e vjetër e komunizmit, një arësye tjetër është jo sistemi i meritës por sistemi i tarafeve, pra cilido që vjen në fuqi nuk dëshiron të bëjë kompromise por kërkon të kontrollojë gjithçka. Një arësye tjetër është se socialistët, megjithëse të reformuar deri në një farë shkalle, ende nuk kanë arritur të ndahen midis tyre për të formuar parti që të përfaqësojnë politikisht interesat e ndryshme të elektoratit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për palën tjetër. Mendoj se sistemi dypartiak që ekziston në Shqipëri nuk mjafton për të pasqyruar larminë e opinioneve në vend.

Zëri i Amerikës Natyrisht, zoti Bugajski, zgjedhjet janë një barometër i rëndësishëm që flasin për shkallën e zhvillimit demokratik të një vendi. Për fat të keq në Shqipëri zgjedhjet po kontestohen. Opozita ka filluar protestat në rrugë, megjithëse nuk është e qartë se sa mbështetje mund të sigurojë ajo. Cili mendoni ju se është mesazhi që u japin politikanëve zhvillimet që kanë të bëjnë me kontestimin e zgjedhjeve?

Janush Bugajski Mendoj se pjesë e problemit, dhe këtë e nxjerr nga vizita ime e fundit në Shqipëri, është fakti se nuk ekziston një regjistrim i mirëfilltë i qytetarëve. Atje ka patur kaq shumë lëvizje, kaq shumë njerëz që janë larguar nga vendi, që kanë lëvizur nga zonat fshatare drejt qyteteve të mëdha, sidomos Tiranës. Pra nuk ekziston një listë e plotë regjistrimi dhe gjithnjë duket se është një ndër konfliktet kryesore midis qeverisë dhe opozitës. Mesazhi që u vjen njerëzve nga kjo është se qeveria nuk është e organizuar shumë mirë, nuk funksionon shumë mirë. Nëse qytetari nuk e gjen emrin në listën zgjedhore, kjo flet ose për inkompetencë ose për veprim të qëllimshëm. Por sido që të jetë, qeveria nuk e ka bërë si duhet punën e saj.

Zëri i Amerikës Zoti Bugajski, Shqipëria është një ndër vendet që aspirojnë të hyjnë në Nato dhe në Bashkimin Evropian. A mendoni se luftrat e vazhdueshme politike atje mund ta dëmtojnë seriozisht aspiratën e saj, apo mendoni se komuniteti ndërkombëtar mund ta mbyllë njërin sy përballë këtyre gjërave.

Janush Bugajski Nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të mbyllë njërin sy. Përkundrazi ai shikon nga shumë afër me të dy sytë se si zhvillohet situata. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar llogarit se Shqipëria të paktën nuk është e pastabilizuar, të paktën atje nuk ka një situatë si ajo e 5 vjetëve më parë. Aty është bërë përparim dhe ka më shumë qendrueshmëri dhe më shumë marrëveshje. Por nëqoftëse kjo vazhdon dhe ka një krizë politike dhe reformat, sidomos ajo në fushën e antikorrupsionit, e antikrimit, e legjislacionit nuk realizohen dhe nuk përparojnë, atëhere do të bjerë mbështetja jo vetëm për këtë qeveri por edhe për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Nato.//ii

XS
SM
MD
LG