Lidhje

Botohet një libër i ri mbi historikun e Intitutit Smithsonian - 2003-11-30


Dita pas festës së falenderimeve është një nga ditët më të ngarkuara të vitit për Institutin Smithsonian. Kompleksi që përfshin 14 muzeume dhe Parkun Kombëtar Zoologjik është një nga institucionet që tërheq më shumë turistë në Washington. Vitin e kaluar, mbi 26 milionë vetë i vizituan këto muzeume. Ngritja e tyre u bë e mundur nga bujaria e një personi dhe nga vendosmëria e një tjetri. Gazetarja Nina Burleigh e rrëfen historinë e tyre në librin e saj të ri “The stranger and the statesman: James Smithson, John Quincy Adams and the making of America’s Greatest Museum: the Smithsonian”.

Po t’i pyesësh vizitorët e muzeumeve të Institutit Smithsonian se cili i ka themeluar këto muzeume, shumë prej tyre mund të të japin përgjigje të gabuar, ose mund të mos përgjigjen fare. As Nina Burleigh nuk e dinte në fillim. Ajo shpjegon në librin e saj, se merita për themelimin e tyre i takon një shkencëtari të quajtur James Smithson, që nuk shkeli asnjëherë në Shtetet e Bashkuara. Ai vdiq në vitin 1829 duke ia lënë bibliotekën, koleksionin e mineraleve dhe një shumë të konsiderueshme parash Shteteve të Bashkuara.

“Në fakt ai u lind në Francë. Ai ishte biri i jashtëligjshëm i Dukës së parë të Northumberlandit, i quajtur Hugh Smithson. E ëma e tij ishte një grua aventuriere, një aristokrate. Ajo pati një marrëdhënie me Dukën, pastaj shkoi në Paris për ta lindur të birin, jetoi atje 10 vjet dhe pastaj e çoi të birin në Britani ku e bëri shtetas amerikan”, thotë autorja.

James Smithson u bë një koleksionist mineralesh dhe kumarxhi. Ai shëtiti në gjithë Evropën Perëndimore, nuk u martua ndonjëherë dhe kur vdiq i la Amerikës atë që mbetej nga pasuria e tij: 500 mijë dollarë. Zonja Burleigh thotë se ka një numër teorish për arsyet e veprimit të tij, por ajo pëlqen veçanërisht njërën prej tyre.

“Shpjegimi im më i preferuar është se Smithson si shumë intelektualë të tjerë të Epokës së Ilumizimit në Evropë, kishte krijuar idenë se Amerika ishte një vend ku krijimtaria do të lulëzonte, sepse ne kishim përcaktuar lirinë e fjalës, sepse ishte zyrtarisht një shoqëri që nuk njihte klasat dhe arsimi do të përhapej kudo. Në Angli shumë pak persona ishin të arsimuar në atë kohë. Dhe kështu kur ai shkroi në testamentin e tij ‘u lë Shteteve të Bashkuara këto shumë si trashëgimi që të themelojë një institut për rritjen dhe përhapjen e dijes tek njerëzit’, ai mendonte se ai do të ishte vendi më i mirë që kjo ide të realizohej”, thotë ajo.

Autorja thotë se shumë anëtarë të Kongresit nuk donin t’i pranonin paratë, por pas shumë përpjekjesh të John Quincy Adamsit, që kishte qenë më parë president dhe në atë kohë ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ata u bindën t’i pranonin ato.

Në vitin 1846 filloi ndërtimi i Kështjellës Smithsonian që edhe sot ndodhet në Washington. Kreu u parë i këtij institucioni, shkencëtari Joseph Henry shpresonte që ajo të bëhej një qendër studimesh, por zonja Burleigh thotë se ishte më e lehtë për Kongresin që ta shihte si një institucion popullor. Kështu shumë shpejt kështjella u kthye në një si magazinë të Amerikës, ku sillej çdo gjë nga shigjeta të vogla, tek objektet e vogla artizanale e deri tek veprat e artit.

Dhe më pas u transformua në kompleksin e muzeumeve që ne shohim tani ku janë mbledhur dhe arkivuar duke filluar që nga avioni luftarak amerikan që hodhi bombën e parë atomike në Japoni, e deri tek buburrecat.

Në vitin 1903, shpikësi amerikan Alexandër Graham Bell shkoi tek varri i James Smithsonit në Gjenovë të Italisë. Varreza do të shkatërrohej së shpejti dhe zoti Bell i solli eshtrat e zotit Smithson në Washington DC ku ato prehen tani në një dhomë të nëndheshme në Kështjellën Smithsonian.

XS
SM
MD
LG