Lidhje

Gjorgjia ka filluar një epokë të re pas përmbysjes së presidentit Shevarnaze - 2003-11-30


Ka filluar të quhet revolucion i trendafilëve. Pas tri javë protestash masive, presidenti i Gjeorgjisë Eduard Shevernaze me 23 nëntor deklaroi se do të jepte dorëheqjen. Ai po ballafaqohej me kërcënimin e protestuesve të cilët kishin deklaruar se do të marshonin në rezidencën e tij. Lajmi i dorëheqjes së zotit Shevarnaze përshkoi shumë shpejt rrugët e Gjeorgjisë dhe bëri që dhjetra mijëra të rinj të festojnë. Ata po festonin një fillim të ri dhe faktin se nuk ishte derdhur asnjë pikë gjak gjatë ditëve të tensionuara. Gjeorgjia tanimë kishte përjetuar luftëra civile dhe lëvizje separatiste që nga shpallja e pavarsisë në vitin 1992. Por këtë herë mbisundoi paqja. Analistët thonë se situata mund të kishte kaluar shumë lehtë në dhunë, por udhëheqësit e opozitës u kishin bërë vazhdimisht thirrje protestuesve të ishin të përmbajtur.

Kulmin e tyre, protestat e arritën kur dhjetëra mijëra protestues marshuan në ndërtesën e parlamentit vetëm një ditë para se zoti Shevarnadze të jepte dorëheqjen. Papritura trupat qeveritare që po ruanin ndërtesën u mënjanuan dhe lejuan protestuesit të futeshin në ndërtesë. Udhëheqësi i opozitës, Zurab Zhvania, thotë se vendimi i ushtrisë për t’iu bashkuar protestuesve ishte vendimtar.

“Ndryshimi i prirjes së protestave ndodhi pasditën e së dielës me 23 nëntor. Disa ekipe të forcave të armatosura kaluan në rradhët e protestuesve kundër presidentit Shevarnaze. Pastaj shefi i policisë së Tbilisit tha se ai do të respektonte urdhërat e presidentes së përkohëshme, Nino Burzhanaxe, e cila kishte qenë një ndër udhëheqëset e protestave. Atë pasdite presidenti Shevarnaze e kuptoi se i tërë vendi ishte kundër tij”.

Protestat u nxitën nga mospajtimet rreth zgjedhjeve parlamentare të 2 nëntorit. Partia e presidentit Shevarnaze ishte deklaruar fituese por analistë të ndryshëm kishin thënë se opozita ishte fituese e qartë. Mirëpo analistët thonë se mospajtimet për zgjedhjet ishin vetëm preteksti i shpërthimit të pakënaqësisë së grumbulluar prej vitesh. Rrënjët e rënies së zotit Shevarnaze duhet të kërkohen në korrupsionin, i cili kishte kontribuar në varfërimin e shumicës së popullatës 5 milionëshe të Gjeorgjisë. Zoti Zeyno Baran thotë se korrupsioni ishte shumë i qartë.

“Ajo që nuk e linte zotin Shevarnaze të përparonte ishte fakti se shumica e njerëzve rreth tij ishin të korruptuar. Një ndër problemet e Gjeorgjisë është se ne kemi pasur shumë transparencë, por edhe shumë papërgjegjësi. Gati çdokush që lexonte gazeta apo shikonte televizion e dinte se cili ministër është i korruptuar dhe ç’bënte secili punonjës qeverie, por askush nuk merrte ndonjë masë”.

Megjithatë udhëheqësit e opozitës e përshëndetën aktin e zotit Shevarnaze si një hap të menqur dhe vendim të moralshëm. Shumica e kundështarëve të tij kanë qënë bashkpunëtorë të tij të dikurshëm.

Por profesori Charles King, specialist i çështjeve të Ballkanit dhe rajonit të Kaukazit në Universitetin Georgetown në Uashington thotë se një fillim i ri për këtë vend malor të Kaukazit nuk do të jetë i lehtë.

“Pavarësisht se kush do të zgjidhet president, ai ose ajo do të ballafaqohet me të njejtat probleme strukturore me të cilat u ballafaqua zoti Shevarnaze. Kjo peridhë tani është si një periudhë e muajit të mjaltit. Presidenti i ri do të duhet të ballafaqohet me probleme të njejta si korrupsioni, paaftësia e institucioneve shtetërore dhe separatizmi territorial. Edhe nëse do të kemi një president reformator, më të ri dhe pro-perëndimor, do të shohim një kundërshtim nga njerëzit që kanë përfituar nga një qeveri e dobët gati për një dekadë”.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përshëndetur transformimin paqësor në Gjeorgji. Të shqetësuara se një luftë civile do të destabilizonte tërë rajonin e Kaukazit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë qenë shumë aktive prapa skenës gjatë zhvillimeve të fundit në këtë vend.

//ze//

XS
SM
MD
LG