Lidhje

Një ushtar amerikan u vra në një pritë në perëndim të Bagdatit - 2003-11-30


Një ushtar amerikan u vra në një pritë në perëndim të Bagdatit, një ditë pasi trupat sprapsën sulme të bashkërenduara kundër autokolonave që po transportonin para për bankat irakiane në veri të kryeqytetit.

Ushtria amerikane tha se sulmuesit qëlluan sot me armë të lehta zjarri një patrullë ushtrie rreth 80 kilometra në perëndim të Bagdatit në të ashtuquajturin “trekëndëshi sunnit.”

Deklarata bëri të ditur se një ushtar u plagos për vdekje dhe tre irakianë u kapën gjatë përleshjeve.

Më parë, oficerët amerikanë dhanë hollësitë e para mbi përleshjet e ditës së djeshme, që disa i cilësuan si betejën më intensive që nga përfundimi i luftimeve në shkallë të gjerë më 1 maj.

Oficerët thanë se kryengritësit kishin organizuar ndërmarrjen njëkohësisht të sulmeve ndaj autokolonave që po transportonin kartmonedhat e reja për në dy banka të qytetit Samarra.

Zyrtarët amerikanë thanë se besojnë që 54 luftëtarë irakianë u vranë në përleshjet e djeshme, por banorët vendas thanë se numri i të vdekurve ishte me i ulët dhe përfshinte edhe civilë.

Përveç dhjetëra luftëtarëve irakianë të vrarë, zyrtarët amerikanë thanë se 18 guerilje u plagosën dhe tetë të tjerë u kapën. Pesë ushtarë amerikanë dhe një civil u plagosën.//ii

XS
SM
MD
LG