Lidhje

Kolonoskopia virtuale; Alcajmeri; Pema më e vjetër në botë - 2003-12-02


Një studim i ri tregon se kolonoskopia virtuale është një metodë shumë më e efektëshme se sa metoda e zakonëshme për diagnostikimin e kancerit në zorrën e trashë. Thuhet se kanceri i zorës së trashë është sëmundja e dytë më vdekje prurëse në botë dhe sipas studimit, zbulimi i shenjave të sëmundjes në fazën e herëshme ndikon shumë në parandalimin apo trajtimin me sukses të saj. Diagnostikimi me anë të kolonoskopisë së zakonëshme është një proces i vështirë. Por mënyra e re nëpërmjet kolonskopisë virtuale bën që mjekët të shohin brenda zorrës nëpërmjet rezeve x dhe skanimit duke përftuar imazhe tri dimensionale. Në një studim botuar dje, thuhet se shkencëtarët morën në shqyrtim 1 mijë e 200 pacientë të cilët iu nënshtruan të dy lloj kolonoskopive. Nëpërmjet kolonoskopisë së zakonëshme në zorrët e pacientit futet një tub në majë të të cilit është vendosur një kamer optike që i dërgon imazhet në ekran. Me kolonoskopinë virtuale pacienti kalon në një aparat skanimi dhe nëpërmjet imazheve tre dimensionale mjeku bën vëzhgimin e zorrëve. Pas eksperimentit, shkencëtarët vunë re se metoda e kolonoskopisë virtuale ishte shumë më e efektëshme në pasqyrimin e imazheve të brendëshme të zorrëve. AL/Rezulati i studimit me kolonoskopinë virtuale inkurajon ata pacientë që megjithëse e dinë se kanë nevojë për kolonoskopi, druhen të shkojnë kur mendojnë procedurën e vështirë gjatë një kolonskopie të zakonëshme. Ndërkohë, një tjetër studim botuar në revistën mjekësore të radiologjisë tregon se sëmundja e alcajmerit mund të parashikohet duke vëzhguar ndryshimet e përmasës së trurit. Në studim u përfshinë 45 burra e gra mbi moshën 60 vjeç. Duke përdorur imazhe me rezonancë magnetike ose MRI, shkencëtarët matën vëllimin e trurit për të parë ndryshimin që ai kishte pësuar gjatë një periudhe 2 vjeçare.

Alcajmeri

Ndërsa truri shpërbëhet ose zvogëlohet pjesa e humbur zëvëndësohet me lëngje, dhe shkencëtarëtr aktualisht masin ritmin e këtij ndryshimi, thotë doktor Monty de Leon. Shkencëtarët u përqëndruan veçanërisht në pjesën e ndërmjetme të trurit, e cila është përgjegjësa për kujtesën. Ata zbuluan se në 90 përqind të rasteve kjo pjesë e trurit zvogëlohet shumë më tepër tek personat që më vonë humbasin kujtesën. Por shkencëtarët thonë se kjo teknikë e re e parashikimit të alzajmerit nuk mund të quhet plotësisht e provuar, pa dhënë të njëjtat rezultate edhe kur të përdoret në grup mosha të tjera 40 e 50 vjeçare. Por cila është rëndësia e kësaj teknike të re kur dihet se alzajmeri as mund të parandalohet dhe as mund të kurohet, të paktën tani për tani. Duke kuptuar më mirë ndryshimet e veçanta në tru kjo mund t’i ndihmojë shkencëtarët për gjetjen e një trajtimi të efektshëm dhe ilaçeve më specifike që mund të përdoren shumë kohë përpara shfaqjes së simptomave. Statistikat tregojnë se njerëzit tani jetojnë më gjatë se në të kaluarën, dhe kjo jetëgjatësi i bën shkencëtarët të mendojnë se rastet e alcajmerit mund të bëhen më të shpeshta po të kihet parasysh se kjo sëmundje prek zakonisht personat e moshuar.

Pema më e vjetër

Shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një mënyrë për klonimin e gjësë së gjallë më të vjetër në tokë. Është fjalë për një pemë që vazhdon të jetojë prej disa mijëra vjetësh dhe mund të vazhdojë të jetojë për disa mijëra vjet të tjera. Për mijëra vjet pisha e quajtur Methusela vazhdon qëndrojë kohës përballë erërave të ftohta malore diku rreth 250 kilometra nga La Vegasit. Në vitet 50 shkencëtarët zbuluan se kjo lloj peme është organizmi i gjallë më i vjetër që ekziston në botë, afro 4 mijë e 500 vjeçare. Shkencëtari Edmund Schuman arriti në këtë përfundim pasi analizoi mostra të lëvozhgës së pishës dhe pasi numëroi rathët e trungut të saj. Sipas përllogaritejve, thotë profesor Tom Harlan i universitetit të Arizonës, filizi i kësaj peme u shfaq rreth 8,700 më parë dhe që nga ajo kohë nuk ka pushuar së rrituri në lartësi e diametër. Leroy Johnson i shërbimeve pyjore thotë se Methusela duket se është e përjetëshme dhe gjithmonë rritet. Asnjë e dhënë nuk tregon të kundërtën. Pema rritet, me ngadalë por rritet. Duket se rritja e ngadaltë po e vazhdueshme mund të jetë një nga të fshehtat e jetëgjatësisë së saj, thotë Leroy Johnson. Vendndodhja e saktë e kësaj peme është sekret dhe dihet vetëm nga zyrtarët e shërbimeve pyjore dhe shkencëtarët. Një përpjekje e kohëve të fundit për klonimin e saj nuk pati sukses, por shkencëtarët të cilët shpresojnë se një ditë do t’a zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë së kësaj pishe, do të përpiqen përsëri për ta klonuar atë./al/

XS
SM
MD
LG