Lidhje

Ushtria amerikane mohon njoftimet për kapjen e ndihmësit të Sadam Huseinit - 2003-12-02


Ushtria amerikane në Irak i mohoi njoftimet se një zëvendës i lartë i Sadam Huseinit është kapur. Sot disa anëtarë të Këshillit Qeverisës të Irakut u thanë mjeteve të informimit se Izat Ibrahim al-Duri ose është kapur ose është vrarë në një sulm gjatë natës në afërsi të qytetit verior të Kirkukut.

Një zëdhënës i njësisë së ushtrisë amerikane që kreu sulmin thotë se zoti al-Duri nuk u kap gjatë këtij operacioni.

Zëdhënësi shtoi se operacioni filloi në orët e para të ditës së sotme dhe vazhdon ende.

Deklarata e ushtrisë amerikane bie në kundërshtim me njoftimet e mëparshme nga disa anëtarë të Këshillit Qeverisës, të cilët thanë se ishin informuar nga burime të besueshme se Shtetet e Bashkuara dhe forcat irakiane kishin kapur ose vrarë ish-gjeneralin al-Duri gjatë një sulmi në Kirkuk, 250 kilometra në veri të Bagdatit.

Zoti al-Duri është zyrtari më i lartë i regjimit të mëparshëm, përveç Sadam Huseinit, i cili ende nuk është kapur. Zyrtarët e koalicionit mendojnë se ai ka lidhje të drejtpërdrejtë me organizimin e disa prej sulmeve ndaj trupave amerikane në Irakun qendror. Kohët e fundit ata shpallën një shpërblim prej 10 milion dollarësh për kapjen e tij.

Javën e kaluar ushtria amerikane ndaloi gruan dhe vajzën e zotit al-Duri, me sa duket në përpjekje për ta detyruar të dorëzohet.

//rd//

XS
SM
MD
LG