Lidhje

Zgjedhjet e Tiranës në pikëpyetje - 2003-12-02


Në Shqipëri kolegji zgjedhor i Gjykatës së Apelit vendoi sot përsëritjen e zgjedhjeve në më shumë se një të tretën e qendrave të votimit në Tiranë për parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Ndërkohë kryeministri Fatos Nano u kundërpërgjigj me tone të ashpra ndaj vendmit. Ai e cilësoi atë si të pabazuar në fakte dhe si një skandal politik të një grupi gjyqtarësh të korruptuar.

Vendimi i sotëm i kolegjit zgjedhor të Gjykatës së Apelit për zgjedhjet për bashkinë e Tiranës erdhi si një bombë për Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj Edi Rama. Zoti Rama e kishte konsideruar të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve me fitoren e dhënë zyrtarisht nga komisioni qëndror. Ai tashmë i ishte futur rrugës për të marrë edhe kreun e Partisë Socialiste. Por tani do ti duhet të bëjë hapa prapa e ti rikthehet fushatës elektorale.

Vendimi i kolegjit zgjedhor do të sjellë përsëritjen e zgjedhjeve në 130 qendra votimi ose në më shumë se 1 të tretën e të gjitha qendrave të kryeqytetit. Pra gara për Tiranën rihapet.

Socialistët reaguan sot pasdite shumë ashpër nëpërmjet kryetarit të tyre Fatos Nano lidhur me vendimin e kolegjit zgjedhor. “Vlerësohet nga ne thelbësisht i padrejtë, i pambështetur në fakte, një skandal politik i gjyqësorit, që vjen në dëm të stabilitetit të institucioneve në vend. Si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë shpreh revoltën time publikisht për këtë qëndrim jo parimor dhe të papërgjegjshëm të gjyqtarëve të korruptuar të kolegjit zgjedhor që kanë votuar për përsëritjen e zgjedhjeve në 130 qëndra”, tha kryetari Fatos Nano.

Zoti Nano i mëshoi disa herë termit gjyqtarë të korruptuar. Sipas tij vendimi është produkt i aleancave fluide jolegjitime që përpiqen të mbajnë peng zhvillimet në vend. Në këtë mënyrë zoti Nano la të kuptohej qartë se nuk bëhej fjalë për një presion të ushtruar vetëm nga opozita e djathtë por edhe nga kundërshtarët e tij brenda partisë.

Për Partinë Demokratike e cila prej ditësh po proteston ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, vendim i kolegjit zgjedhor ishte fitorja e tyre e parë. Kandidati demokrat Spartak Ngjela deklaroi se kolegji konfirmoi manipulimet e denoncuara prej tij. “Mendoj se si hap i parë është normal, unë do ta vazhdoj për pjesën tjetër në gjykatën kushtetuese sepse nuk mund të votohet në 130 zona. Është kompakt, në qoftë se 130 janë të pavlefshme kuptohet që ka manipulime. Megjithatë llogaria është pak më e thjeshtë, se 60 zona i kam fituar unë, dhe 130 i thonë 190. Atëherë i ngelen atij më pak se kaq”, tha zoti Ngjela.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi ndërkaq sot se protestat e tyre do të shtrihen në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG