Lidhje

Kriza politike në Shqipëri zvarritet pa zgjidhje - 2003-12-04


Opozita protestoi sot në parlament dhe në sheshet e Tiranës ndaj krizës politike që po kalon vendi. Gjatë seancës parlamentare të mëngjesit deputetët e opozitës u përpoqën të bllokonin punimet, duke i rënë tryezave me grusht dhe duke ndërprerë fjalën e kryetarit Servet Pëllumbi. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi zotin Pëllumbi për metoda autokratike në drejtimin e parlamentit. “Ata po e kthejnë parlamentin në vitet më të zeza të diktaturës. Asnjë nga përfaqësuesit e opozitës nuk e mori fjalën. Asnjë nga cështjet që paraqiti zoti Pëllumbi nuk ishte diskutuar më parë në byronë parlamentare. Pasojat e këtij akti janë jashtëzakonisht të rënda” - tha Berisha.

Ndërkaq Partia Socialiste po zhvillon një seri konferencash në rrethe më afrimin e kongresit të 12 dhjetorit. Ish-kryeministri Ilir Meta, duke denoncuar një incident të dhunshëm në degën e socialistëve të Durrësit, i bëri thirrje kryeministrit Fatos Nano të ndahet nga njerëzit e botës së krimit. Ai tha se kriza është shumëplanëshe. “Unë mendoj se kriza nuk është thjesht kushtetuese, me zbatimin apo jo të disa neneve të saj. Kriza nuk është thjesht parlamentare, me funksionimin apo jo të parlamentit. Vendi po kalon një krizë të thellë politike. Kriza vjen nga mungesa e përfaqësimit të qytetarëve, nga mungesa e përfaqësimit të anëtarëve të forcave të ndryshme politike, nga uzurpimi i politikës dhe e votave nga ana e një grupi njerëzish” - tha Meta.

Po sot Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, gjatë fjalës në konferencën gjyqësore u bëri thirrje politikanëve të ndalin sulmet ndaj kushtetutës institucioneve të saj dhe të respektojnë shtetn ligjor. Ndërsa opozita i vazhdoi edhe sot për të gjashtën ditë tubimet e protestës para kryeministrisë dhe Komisionit Qendor të Zgjedhjeve në përpjekje për t’i dhënë një shtytje zhvillimeve politike lidhur me qeverinë dhe proceset zgjedhore.

Disa qindra protestues hodhën parrulla antiqeveritarenë bulevardin para selisë së këshillit të ministrave, e më pas u mblodhën pranë KQZ, ku shprehën kundërshtimin ndaj vendimeve të fundit të komisionit. Pak minuta më parë drejtues të KQZ kishin deklaruar se ende nuk kanë marrë të plotë vendimin e kolegjit zgjedhor të Apelit për përsëritjen e zgjedhjeve vendore për 1/3 e qendrave të kryeqytetit.

//rd//

XS
SM
MD
LG