Lidhje

Imazhi i Shqipërisë duhet të ndryshojë - 2003-12-04


Në Shqipëri zhvillohet një debat i ashpër politik, i cili shpeshherë ka dëmtuar imazhin e vendit. Në kushtet kur shoqëria shqiptare ka një sërë problemesh sociale, mes të cilave edhe korrupsioni, çfarë ndikimi kanë patur intelektualët në krijimin e opinoneve të moralshme në Shqipëri? Lidhur me këto çështje zhvilluam një bisedë me dy intelektualë nga Shqipëria, shkrimtarët Diana Çuli, e cila është edhe presidente e Forumit të Pavrarur të Gruas Shqiptare dhe Pirro Mishën, Drejtor i Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit. Ata ndodhen në Shtetet e Bashkuara me grupin e intelektualëve shqiptarë, të ftuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, për bisedime me zyrtarët amerikanë mbi rolin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.

Zëri i Amerikës:Në Shqipëri zhvillohet një debat i ashpër politik, që shpeshherë nuk njeh rregullat dhe kalon në ekstrem. Përse, mendoni, mungon kjo kulturë në zhvillimin e debatit politik në Shqipëri dhe si e shikoni perspektivën?

Pirro Misha:Kjo mendoj se ka të bëjë me krizën e klasës politike, e cila ka arritur në një moment krize dhe e cila duhet të gjejë një identitet të ri, përndryshe ajo do të hyjë në një kolaps. Zgjedhjet e fundit po tregojnë për një zhgënjim gjithnjë e më të madh të popullsisë. Shpeshherë, njerëzit mund të votojnë nga halli në fund, sepse mendojnë se kjo është një detyrë qytetare. Pa dyshim, kjo është edhe pjesë e një kulture të munguar politike e demokratike, është pjesë e tranzicionit, por unë mendoj gjithashtu, që ndodh për shkak të elementit subjektiv; politikanët shqiptarë janë të papërgjegjshëm për pasojat e veprimeve të tyre, të fjalës së tyre. Në çdo vend, nga këto sharje që bëjnë ata, do të kalonin në procese gjyqësore, se njeriu nuk mund ta lëshojë fjalën dhe akuzat për një konsum thjesht populist, por mendoj që kjo lidhet me një problem mjaft të madh, që është një nga sfidat më të mëdha që përballon sot vendi .

Diana Çuli: Unë mendoj që, ndoshta do të thoja që kjo dëmton shumë imazhin e Shqipërisë në botë dhe kur je jashtë vendit, siç jemi ne këtu tani, për shembull, me grupin që kemi ardhur, e ndjejmë shumë këtë imazh të dëmtuar, pikërisht edhe nga problematika politike që krijohet në vendin tonë, e cila mund të evitohej, për mendimin tim. Është një dhunë psikologjike dhe verbale, që i bëhet shoqërisë shqiptare, nuk ja bëjnë njeri-tjetrit, por na e bëjnë neve. Kjo e dëmton mjaft imazhin tonë, sepse kemi takuar shumë njerëz, të cilët thonë, se nga Shqipëria vijnë gjithmonë lajme shumë të këqia. Kjo neve na ka mërzitur, na ka shqetësuar, patjetër. Jetojmë në atë shoqëri, përpiqemi të rezistojmë në këtë situatë, që për mua, është artificiale.

Zëri i Amerikës: Pra, gjatë vizitës tuaj këtu në Shtetet e Bashkuara ju po diskutoni me zyrtarë të Deprtamentit të Shtetit, pikërisht për imazhin e Shqipërisë?

Pirro Misha: Një nga çështjet, por që është një çështje prioritare dhe për këtë, sot është me prioritetit kombëtar, sepse imazhi nuk është thjesht një mendim që kanë njerëzit e rrugës, por është një element i dalë në bazë të vendim-marrjes të politikës ndaj Shqipërisë. Kur je jashtë e kupton më shumë, se imazhi, fatkeqësisht i keq që kemi ne, më tepër në Evropë, por edhe në Amerikë, është një çështje, për të cilën duhet të bëjmë çmos, në radhë të parë është përgjegjësi e klasës politike, është përgjegjësia e qeverisë, por edhe e gjithë shoqërisë, duke përfshirë gjithë intelektualët, që imazhi i Shqipërisë të përputhet me realitetin. Ka një mospërputhje me realitetin, imazhet e sherreve tona, të krizave tona janë imazhe që kanë mbetur e do të mbeten gjatë, në se nuk marrim masa, që të tregojmë edhe aspekte të tjera të jetës shqiptare.

Zëri i Amerikës: Në çfarë aspekesh, mendoni ju që imazhi i Shqipërisë është i ndryshëm këtu në Shtetet e Bashkuara nga imazhi real i saj?

Pirro Misha: Në radhë të parë, mendoj se Shqipëria ka kaluar në këtë 10-vjeçar disa momente traumatike, që kanë zënë faqet e para të medias, kështuqë ato imazhe është natyrshme, që mbeten në mendjen e shumëkujt, që nuk ka informacion të drejtpërdrejtë, atyre që nuk janë specialistë për Shqipërinë. Dhe ky imazh duhet t’i kundërvihet imazhit të një Shqipërie ndryshe, të një vendi që është duke u normalizuar, që kërkon të bëhet pjesë e qytetërimit perëndimor, e një Shqipërie që prodhon kulturë, qytetërim, që prodhon një jetë normale. Ky është një prioritet dhe është plotësisht e mundshëm të bëhet.

Zëri i Amerikës:Në Shqipëri ka një sërë problemesh sociale, midis të cilave do të thoja se korrupsioni është më predominanti. Intelektualët mendohet që janë ajo shtresë e shoqërisë që ndikon pozitivisht në aspektin e moralit të shoqërisë. Çfarë ndikimi po luan klasa intelektuale në Shqipëri në përmirësimin e moralit?

Diana Çuli: Po intelektualët përpiqen, sigurisht, siç e thatë ju është edhe detyrë, përmirësimi i moralit. Intelektualët ndodhen kudo, në Universitete, në media, në shoqata të ndryshme që janë të krijuara, në të gjitha këto fusha që ata punojnë, përpiqen dhe ne kemi edhe rezultate, që mund të quhen pozitive, është edhe një pjesë e madhe e punës që bëjnë intelektualët, edhe një artikull, i cili përpiqet për përmirësimin e moralit, ose godet një fenomen korrupsioni, ose godet një fenomen social, negativ; kjo është një punë, një gur i vogël që vihet në murin e madh që ne duhet të ndërtojmë në Shqipëri. Sigurisht, që intelektualët nuk janë shumë të bashkuar me njëri tjetrin, nuk kanë si të thuash një frymë të përbashkët, por ka më tepër punë individuale.

Pirro Misha: Unë mendoj se kohët e fundit ka patur një përmirësim në prezencën intelektuale, sidomos nëpërmjet medias, fuqisë që ka marrë media. Impakti i tyre në shoqëri është mjaft më i madh, por megjithatë, intelektualët mbeten një shtresë akoma e paartikuluar mirë, akoma e margjinalizuar dhe anomalia kryesore e Shqipërisë, që lidhet me pyetjen tuaj kryesore, është që Shqipëria është një vend, ku pothuajse ekziston partitokracia, ku partitë politike zenë një vend që në asnjë vend normal nuk e zenë. Është absurde, që për shembull jeta publike në Shqipëri tani dominohet nga sherri brenda një partie. Në asnjë vend normal nuk mund të ndodhë kjo. Partitë janë thjesht një nga insitutucionet e jetës politike dhe civile të një vendi dhe nuk mund të kenë një dominim të plotë që kanë në Shqipëri. Ky është një nga sfidat më të mëdha, që do dojë kohë dhe që është pjesë e një kulture të munguar politike.

XS
SM
MD
LG