Lidhje

BE i kërkon Shqipërisë të luftojë krimin e organizuar - 2003-12-05


Përfaqësues të Bashkimit Europian e nxitën Shqipërinë të luftojë pa ndërprerë krimin e organizuar për të bërë të mundur shtimin e investimeve. Koordinatori special i Paktit të Stabilitetit, Erhard Bussek, i bëri këto komente në Tryezën e Gjashtë të Paktit mbajtur në Tiranë. Ai tha se Shqipëria ka bërë majft përparime, por Pakti synon në disa cështje kryesore: “Së pari është nevoja për nxitjen e biznesit me anën e marëveshjeve rajonale për industrinë dhe tregtinë. Po përpiqemi që rajoni të bëhet sa më tërheqës për investime. ritmet nuk janë të këqija, por ato po nisen nga një nivel mjaft i ulët. Së dyti është lufta kundër krimit të organizuar, ku duhet një bashkëpunim rajonal. situata duhet të ndryshojë, sepse nuk do të ketë investime” - tha zoti Bussek. Një tjetër cështje, sipas tij, është dhe lëvizja e lirë e njerëzve në rajon, ku është propozuar një lloj Shengeni ballkanik, sidomos për periudhën e pushimeve të verës.

Ndërsa kryeministri Fatos Nano tha se Shqipëria po luan rolin e vet në suksesin e Paktit të Stabilitetit në rajon, i cili po parandalon krizat dhe po zbut klimën politike. Sipas tij, Pakti po ndërton dialogun dhe reformat në Ballkan; Pakti po ndërton bashkëpunimin rajonal për tregti të lirë dhe luftë kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Besoj se është i qartë programi i veprimeve të shtetit dhe qeverisë së Shqipërisë që në një plan kombëtar ka ndërtuar dhe po bën gjithnjë e më veprues një sistem të drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar; ndërsa në nivel rajonal po zbaton strategjinë e menaxhimit të integruar të kufirit” - tha zoti Nano.

Ndërkaq në valën e debateve të ndezura mes socialistëve, ish-kryeministri Ilir Meta denoncoi shkarkimin e drejtoreshës së doganave, Tatjana Kongoli, si një përpjekje të zotit Nano për të mbuluar mashtrimin me “sukseset në dogana”. Ai tha në një konferencë shtypi se kryeministri Nano dhe qeveria e tij kanë një mungesë të plotë respekti ndaj qytetarëve dhe një mungesë të thellë transparence për punën e doganave. “Ne e kemi ngritur edhe më parë këtë shqetësim se qeveria nuk është aspak transparente me opinionin publik, me partnerët ndërkombëtarë e taksapaguesit shqiptarë. Në dogana vidhet me dashje, me qëllim dhe në mënyrë të programuar. Kemi bërë të ditur se shifrat e dhëna nga qeveria, statistikat zyrtare të ofruara prej saj kanë qenë vazhdimisht një mashtrim i programuar” - tha zoti Meta.

Ndërkaq opozita i vazhdoi protestat dhe takimet me organizmat ndërkombëtare për të shprehur shqetësimin rreth krizës politike. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pati një takim me përfaqësuesin e OSBE, ambasadorin Osmo Liponen, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend. Zoti Berisha tha pas takimit se aty u shqyrtuan shumë çështje, mes të tjerash edhe procesi zgjedhor i dëmtuar nga KQZ. “Propozimi ynë është që të respektohet e drejta kushtetuese e qytetarëve. Unë po shoh një spiral pozitiv të zhvillimeve” - tha zoti Berisha.

Qarqet politike në kryeqytet janë përfshirë në një situatë të tensionuar prej disa javësh që lidhet sa me krizën e qeverisë dhe të shumicës socialiste në parlament, po aq edhe me kongresin e PS dhe protestat e opozitës. Ndërsa KQZ vendosi mbajtjen më 28 dhjetor të zgjedhjeve të përsëritura në 1/3 e kryeqytetit.

//rd//

XS
SM
MD
LG