Lidhje

Zgjedhjet parlamentare, një provë për të ardhmen e Serbisë - 2003-12-05


Më 28 dhjetor në Serbi zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Një anketë e fundit tregon se Partia Demokratike e Serbisë e ish-presidentit Vojislav Kostunica ka mbështetjen më të madhe rreth 23.1 për qind, por vetëm më pak se një për qind e ndan atë nga Partia Radikale ultranacionaliste me mbështetje 22.5 për qind.

Por çfarë shpresash dhe shansesh e presin këtë vend? Disa ekspertë thanë të enjten në një diskutim të organizuar nga Zëri i Amerikës se Serbia ndodhet ende në një udhëkryq, ku vendi duhet të përcaktojë në se do të zgjedhë si rrugë të së ardhmes forcat nacionaliste, apo forcat e moderuara, nëse do të votojë për reformatorët, apo për ata që janë kundër reformave.

Janush Bugajski, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se zgjedhjet do të tregojnë nëse Serbia është në rrugën e konsolidimit të demokracisë, apo regresionit politik. “Besoj se vitet e fundit Serbia ka bërë pa dyshim përparim të dukshëm në drejtim të standardeve atlantike dhe evropiane. Por ende ky vend nuk po arrin gjithë potencialin e vet, për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit, mungesës së bashkëpunimit të plotë me gjykatën e Hagës edhe manipulimit me kartën nacionaliste”, tha ai.

Zoti Bugajski mesa duket i referohej zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar, në të cilat, megjithëse u deklaruan të pavlefshme nga pjesëmarrja e ulët, ultranacionalistët me lidhje të ngushta me Millosheviçin ishin mbi 10 për qind përpara rivalëve të tyre që mbështesin reformat.

Megjithatë analisti Obrad Kesic, tha se në zgjedhjet e fundit serbët votuan më shumë kundër koalicionit në pushtet, për shkak të zhgënjimit lidhur me gjendjen e vendit, sesa pro ultranacionalistëve. Ai tha se dilema mes forcave të majta dhe atyre antikomoniste, ka krijuar një krizë identiti në Serbi. “Është një betejë si të thuash për shpirtin e vendit. Ka një krizë identiteti në vend...Flitet shumë për nevojën e Serbisë për pajtim me fqinjët, por shumë pak njerëz po ngrenë zërin të thonë që është i nevojshëm një pajtim brenda Serbisë”, tha zoti Kesiç.

Ai tha se gjithsesi të gjitha partitë janë të një mendjeje se Serbia ka nevojë për një kushtetutë të re, që vendi të integrohet në Evropë dhe se gjendja aty duhet të përmirësohet.

Pjesëmarrësit në debat, patën ide të ndryshme lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në zgjidhjen e problemeve rajonale, përfshirë statusin përfundimtar të Kosovës dhe integrimit të Serbisë në strukturat euro-atlantike.

Damian de Krnjevic Miscovic, tha se meqenëse synimi i vendeve të rajonit është integrimi evropian, qëndrimi i Bashkimit Evropian duhet të ketë më shumë peshë për statusin e Kosovës. Por Daniel Serwer i Institutit të Paqes, tha se Evropa nuk është ende e gatshme që të marrë përsipër rol drejtues në rajon. Megjithëse theksoi rëndësinë jetike të pranisë së Shteteve të Bashkuara, zoti Serwer nënvizoi se bashkëpunimi mes tyre dhe BE-së, mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme në Ballkan. “Kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosin të bëjnë diçka së bashku, me të vërtetë ka rezultate. Nuk ka madje as rëndësi nëse është ajo që duhet bërë. Kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë për Ballkanin, ato sjellin stabilitet”, tha zoti Serwer.

Ai i referohej përpjekjeve të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për Bashkimin Serbi-Mal i Zi i cili sipas mendimit të zotit Serwer është diçka funksionale.

Por zoti Bugajski mendon ndryshe. Ai tha se mënyra më e sigurt për integrimin e Serbisë është zgjidhja e statusit të këtij bashkimi dhe pavarësia e Kosovës. “NATO-ja nuk do të pranojë shtete të pasigurta, ose shtete me pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera, ku pikëpamjet e shumicës së banorëve vendas janë krejt të ndryshme”, tha zoti Bugajski.

Një nga temat që ngjalli më shumë debate ishte bashkëpunimi me Gjykatën së Hagës. Ndërsa zoti Bugajski dhe zoti Serwer shprehën pakënaqësinë për shkallën e ulët bashkëpunimit, zoti Kesiç tha se njerëzit në Serbi nuk interesohen aspak për atë që ndodh në Hagë dhe se ajo që bën kjo gjykatë nuk kontribuon në qëndrueshmërinë e ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit.

Ekspertët nuk lanë pa vënë në dukje përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieneve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ky vend do të dërgojë një mijë ushtarë në Afdganistan për një mision paqeruajtës. //kk//

XS
SM
MD
LG