Lidhje

Presidenti Bush u përqëndrua mbi shifrat pozitive ekonomike - 2003-12-06


Presidenti Bush u përqëndrua mbi shifrat pozitive ekonomike në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, duke i cilësuar ato si provë se vendi po vazhdon “rrugën e qëndrueshme të rimëkëmbjes.”

Presidenti Bush theksoi përmirësimet e muajit të kaluar në veprimtarinë manifakturuese dhe prodhimtarinë dhe rënien e papunësisë në masën 5 presje 9 për qind, më e ulëta në 8 muajt e fundit.

Megjithatë, ekonomistë dhe investitorë kishin pritur numra më të lartë në raportin e së premtes që tregonin hapjen e 57 mijë vendeve të reja. Presidenti tha gjithashtu se po punon për të forcuar rimëkëmbjen ekonomike në 6 fusha kyçe, përfshirë reforma në sistemin shëndetsor, ulje taksash dhe negociata për tregëtinë e lirë.

Presidenti tha se shenjat e rimëkëmbjes ekonomike tregojnë se shkurtimet e taksave që ai ka vënë në jetë po japin rezultat. Niveli i lartë i shitjeve dhe përmirësimi i fitimeve bëjnë që kompanitë të vazhdojnë të hapin vende të reja pune vitin e ardhshëm. Si rrjedhojë e uljes së taksave, të gjithë punonjësit do të mbajnë një pjesë më të madhe të parave të fituara dhe biznesi i vogël do të ketë mundësi të hapë vende të reja pune.

Në fjalimin e tij të përjavshëm, presidenti Bush tha se familjet amerikane kanë arsye të jenë optimiste gjatë këtij sezoni festash, pasi në nëntor ekonomia amerikane shënoi 57 mijë vende të reja pune. Edhe shitjet e makinave, ndërtimet e shtëpive të reja dhe prodhimtaria kanë shënuar rritje.

Forca e ekonomisë amerikane do të ketë rëndësi vendimtare për fushatën e presidentit për një mandat të dytë vitin e ardhshëm. Ka shenja se rënia ekonomike që u rëndua më tej nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, po merr fund.

Por kundërshtarët demokratë vazhdojnë të vënë në dukje afro 3 milion personat që humbën punën që kur presidenti Bush erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët thonë se shkurtimet e taksave të presidentit kanë detyruar shtetet të kufizojnë shërbime thelbësore dhe po shtojnë huazimet qeveritare, duke e rritur deficitin federal.

//ze//

XS
SM
MD
LG