Lidhje

Një organizatë arsimore bën thirrje që të rritet në mënyrë të konsiderueshme numri i studentëve amerikanë jashtë shtetit - 2003-12-07


NAFSA, Shoqata Ndërkombëtare e Arsimtarëve beson se shumë amerikanë nuk e njohin pjesën tjetër të botës. Kjo organizatë thotë se studimet jashtë vendit janë mënyrë që amerikanët të familjarizohen me botën jashtë Shteteve të Bashkuara. Kjo shoqatë nxit shkëmbimin e studentëve amerikanë me ata të vendeve të tjera.

Rreth 150 mijë amerikanë studiojnë jashtë Shteteve të Bashkuara çdo vit. Në një konferencë shtypi kohët e fundit, NAFSA përkrahu një propozim të një ish-senatori amerikan, Paul Simon për krijimin e një programi kombëtar për bursa për jashtë vendit, që do të rriste ndihmën financiare për ata studentë që shkojnë jashtë vendit. Ish-Sekretari Amerikan i Arsimit, Richard Riley thotë se studentët amerikanë duhet të kenë një këndvështrim global.

“Brezi që do të drejtojë vendin tonë nesër, brezi i ashtuquajtur i mijëvjeçarit duhet të ketë një arsimim ndërkombëtar. Ata duhet të kenë mundësinë të mësojnë për vende e kultura të tjera si dhe këndvështrime të tjera nga përvoja e drejtpërdrejtë dhe kjo duhet të jetë një pjesë e arsimit të tyre të lartë”, thotë ai.

Marlene Johnson, drejtore ekzekutive e Shoqatës Ndërkombëtare të Arsimtarëve, thotë se sipas raportit shumë amerikanë nuk kanë njohuri të mjaftueshme për pjesën tjetër të botës.

“Në raport thuhet se mosnjohja e botës nga ana e amerikanëve është një pengesë në luftën kundër terrorizmit. Për ta eliminuar atë, në raport rekomandohet një program i guximshëm në shkallë vendi në bazë të së cilit studentët amerikanë t’i kushtojnë një pjesë të arsimimit të tyre të kuptuarit të vendeve, rajoneve, gjuhëve dhe kulturave të tjera përmes përvojave personale."

Peter McPherson, president i Universitetit Shtetëror të Miçiganit mendon se ana financiare është arsyeja që pak studentë nga universitet amerikane, arsimohen jashtë vendit. Zoti McPherson thotë se kostoja e arsimit jashtë vendit nuk përbën medoemos pengesë, veçanërisht nëse një student shkon në një nga vendet në zhvillim.

Julia Chang Bloch, ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Nepal, është bashkëpunëtore e vjetër shkencore për marrëdhëniet amerikano-kineze në Universitetin e Pekinit. Ajo thotë se fakti që shumica e amerikanëve nuk dinë gjuhë të huaja, është një pengesë e konsiderueshme për të kuptuar çështjet botërore.

“Në Evropë, studimi i gjuhëve të huaja fillon shpesh që në moshën 5 vjeçare. Dhe ata që kanë mbaruar shkollën e mesme, njohin mirë të paktën dy gjuhë. Studentët kinezë fillojnë të mësojnë anglisht në klasën e tretë. Dhe kur mbarojnë tetëvjeçaren duhet të kenë një fjalor të konsiderueshëm të anglishtes”, thotë ajo.

Një pengesë tjetër për shkëmbime studentësh është rreziku i terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. Kufizimet për vizat u rritën dhe si rezultat më pak studentë nga vende të tjera po vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Ish-senatori amerikan Paul Simon thotë se një program studimi jashtë vendit, të financuar nga qeveria do ta nxiste arsimin në vende të tjera, sidomos në vendet në zhvillim. Ai thotë se vetëm 1 për qind e studentëve amerikanë, studiojnë jashtë për një verë, apo semestër dhe dy të tretat e tyre shkojnë në Evropën Perëndimore.

Zoti Simon e pranon se kostoja e projektit të propozuar prej tij do të ishte e konsiderueshme, rreth 3.5 miliardë dollarë në vit, por shton se një investim i tillë do të ishte i vlefshëm në drejtim të përmirësimit të sigurisë dhe tregëtisë ndërkombëtare.

Pa dyshim që studimi jashtë Amerikës ka një vlerë të madhe. Mbetet të shihet nëse qeveria amerikane, e gjendur përballë shpenzimeve gjithnjë në rritje, do të pranojë të financojë programe të tilla.

//ze//

XS
SM
MD
LG