Lidhje

Sabri Hamiti: Vetëm kur t’i marrin përgjegjësitë njerëzit e Kosovës, kanë të drejtë të tjerët që t'i kritikojnë. - 2003-12-08


Kryetari i Komisionit të Parlamentit të Kosovës për Bashkepunimin Nderkombetar, Sabri Hamiti, ndodhet per nje vizite ne Shtetet e Bashskuara per te biseduar me zyrtaret amerikanë mbi gjendjen në Kosovë.

Zëri i Amerikës:Zoti Hamiti çfarë problemesh do të ngrini ju në takimet me zyrtarët amerikanë?

Sabri Hamiti:Do të ngremë problemet që janë aktuale në Kosovë. Ky udhëtim në të vërtetë është një përpjekje për shpërthimin e një, do të thosha bllokade të çuditshme që ka bërë UNMIKu për përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe ne e konsiderojmë këtë hap të rëndësishëm. Do të flasim në Departamentin e Shtetit në Kongres, në Senat dhe në komisione të ndryshme për zhvillimet në Kosovë, për kërkesat që vendasit të marrin obligimet për punët që kryejnë dhe përgjegjësitë që kanë para qytetarëve dhe për raportet që po ngrihen me UNMIKun dhe që kërkojnë një ridimensionim tjetër.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian do të diskutojë nesër lidhur me standartet për Kosovën ose më konkretisht për hollësitë e planit se si do të maten këto standarte në se Kosova deri në vitin 2005 do ti ketë plotësuar apo jo. A jeni njohur ju me këtë plan?

Sabri Hamiti: Ne e dimë formulën standarte para statusit e cila ka qenë një retorikë e thatë, një frazë e cila e ka humbë një vit për Kosovën. Atëhere është menduar si një frazë për të blerë kohën por është një vit i humbur. Konsideroj që përpjekja që në mënyrë më të arsyeshme të definohen ç’janë ato standarte dhe si do të plotësohen, si do të maten dhe kush do ti masë është një hap përpara. Unë mendoj që kjo rrugë ka hyrë në një seriozitet të punës dhe natyrisht duhet të gjenden masat e vlerësimit të tyre duke patur parasysh edhe përgjegjësitë e atyre që i bënë. Domethënë standartet duhet të shihen përmes instrumenteve të vlerësimit po edhe përmes përgjegjësive të atyre që mund ti krijojnë. Nuk mund të kërkohen standarte nga njerëzit që s’kanë përgjegjësi që s’kanë kompetenca.

Zëri i Amerikës: A jeni ju optimist se Kosova do ti përmbushë ato deri në vitin 2005? E kam fjalën për tetë standartet që njihen tashmë?

Sabri Hamiti: Tetë standartet janë shumë, edhe një herë do të thosha kanë qenë shumë retorike dhe shumë jo substanciale. Tash kur të shihen qysh operacionalizohen, unë mendoj që Kosova duhet të marrë përgjegjësitë për vetveten dhe atëherë do ti plotësojë të gjitha standartet. Në se mendohet që standartet janë parahyrje për të biseduar për statusin, edhe njëherë mendoj që është gabim.

Zëri i Amerikës: Ju po këmbëngulni tek përgjegjësitë që duhet të marrin më shumë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë. Gjithsesi kritikët thonë se udhëheqja shqiptare nuk është ende e përgatitur për të marrë këtë përgjegjësi dhe një nga argumentat që nxjerrin ata është përshembull puna e parlamentit ku shumë ligje nuk janë miratuar ende. Ata thonë se parlamenti ka harxhuar kohë të madhe me diskutime për gjëra simbolike sesa me miratimin e ligjeve. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Sabri Hamiti: Unë mendoj që janë kritika shumë pa lidhje dhe që i thonë njerëzit që s’kanë as informimet themelore çfarë bën parlamenti i Kosovës. Vetë puna efektive e tregon që parlamenti ka hartuar dhe miratuar 40 ligje. Ky është ritëm bile abnormal do të thosha unë. Shpeshherë flitet kuturu për parlamentin dhe institucionet e Kosovës. Gjithmonë kërkohet alibi që të mos i jepen përgjegjësitë dhe kompetencat. Është absurde të mendohet që do të zhvillohet Kosova qoftë në nivelin demokratik, politik ose përfaqësues pa i marrë përgjegjësitë. Kjo është lojë për humbje kohe dhe unë mendoj që vetëm kur ti marrim përgjegjësit njerëzit e Kosovës, atëherë i marrin edhe të drejtat të tjerët që ti kritikojnë. Në këtë fazë unë mendoj që është nivel spekullimi.

Zëri i Amerikës: Si janë marrëdhëniet tuaja me UNMIKun?

Sabri Hamiti: Marrëdhëniet e mija janë institucionale. Luftoj me të cila fuqitë që kam në institucionin ku jam të marrë kompetencat prej UNMIKut dhe ky i fundit si një organizatë që unë mendoj pa të drejtë don ta luajë rolin e qeverisë klasike, don ti mbajë ato kompetenca përkundër deklarimit se do ti dorëzojë.

Zëri i Amerikës: Kosova qeveriset nga një koalicion partiak i dalë pas zgjedhjeve të fundit. Në këtë qeverisje duket sikur roli i opozitës ka humbur në Kosovë. A mendoni ju se kjo qeverisje është e efektshme.

Sabri Hamiti: Vetvetiu qeveria e ndërtuar mbi bazën e një marrëveshjeje e qet rolin e opozitës, e bën inekzistent. Ne e luajmë rolin e kritikuesit të qeverisë sa mundemi në parlament por mënyra si është krijuar qeveria e Kosovës faktikisht tregon që s’ka opozitë klasike tek ne. Tani për tani është menduar mirë që në këtë fazë ndoshta ka qënë domosdo që të jetë një grumbullim i të gjitha forcave relevante rreth një ideje të qeverimit por në të ardhmen unë mendoj që nuk është formë shumë e mirë dhe duhet të provohet ai që fiton të qeverisë dhe ai që është më pak fitues të korigjojë.//rd

XS
SM
MD
LG