Lidhje

Kofi Anna paralajmëron se përpjekjet e rindërtimit të Afganistanit mund të dështojnë - 2003-12-09


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, tha se keqësimi i gjendjes në Afganistan po rrezikon përpjekjet ndërkombëtare për rindërtimin e atij vendi të shkatërruar nga lufta.

Në një deklaratë të OKB-së dje, në të cilën u njoftua një raport i ri mbi Afganistanin, zoti Annan tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të vendosë në se do të shtojë angazhimin e tij. Në se nuk e shton angazhimin, tha ai, përpjekjet e rindërtimit mund të përfundojnë në dështim.

Mes të tjerash, ai bëri thirrje për mbrojtje më të mirë të personelit të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave jo-qeveritare në Afganistan.

Në deklaratë, zoti Annan thoshte se mungesa e masave të sigurisë ka vonuar ato që ai i cilësoi si procese të rëndësishme politike, me sa duket duke iu referuar kështu përpjekjeve të Afganistanit për të hartuar kushtetutën dhe për të mbajtuir zgjedhjet e përgjithshme gjatë muajve të ardhshëm.

Zoti Annan i bëri këto komente ndërkohë që ushtria amerikane në Afganistan njoftoi se ka filluar ofensivën më të madhe tokësore deri tani kundër mbeturinave të al-Qaidës dhe Talebanit.

Një zëdhënës amerikan tha se rreth 2 mijë trupa në mbarë Afganistanin lindor dhe jugor po përpiqen të shtypin ekstremistët, që kanë sulmuar forcat e koalicionit dhe punonjësit e ndihmave.

//ze//

XS
SM
MD
LG