Lidhje

KQZ shkarkon komisionin e Tiranës pak ditë para zgjedhjeve - 2003-12-09


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra komisionin zonal të Tiranës për keqadministrim të rezultateve në votimet e fundit për pushtetin vendor. KQZ i ka gjobitur madje komisionerët e Tiranës me shuma deri afro 600$ për shkeljet që janë vërejtur në punën e tyre, të cilat sollën edhe përsëritjen e zgjedhjeve në 118 qendra votimi të kryeqytetit.

Zëdhënësi i KQZ, Erton Sinani, thotë se një komision i ri do të ngrihet së shpejti me të njëtat kritere. “Komisioni i ri Zgjedhor i Qeverisjes Vendore të bashkisë Tiranë do të ketë të njëjtin konfigurim politik si edhe më parë në bazë të Kodit Zgjedhor. Dy anëtarë do t’i takojnë PD, dy për PS, një i PSD, një tjetër i PR, dhe sipas një shorti të hedhur nga KQZ, edhe një anëtar i shtatë do t’i takojë përsëri PD” - tha zoti Sinani.

Sipas zëdhënësit, KQZ vendosi të publikojë edhe listat e votuesve, të njëjta me ato të 12 tetorit. Mungesat në lista janë një problem kryesor për opozitën. Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Spartak Ngjela, i kërkoi edhe presidentit Moisiu përmes një letre që të ndikojë për përmirësimin e listave, pasi, sipas tij, mbi 20 mijë qytetarëve u është mohuar e drejta kushtetuese e votës.

Po sot, PD protestoi ndaj shkarkimit të komisionit zonal të Tiranës, duke e vlerësuar këtë akt si një tjetër shkelje ligjore të KQZ. Zëdhënësi i PD, Edi Paloka tha se këta komisionerë denoncuan shkeljet dhe manipulimet e zgjedhjeve. “Duke shkarkuar anëtarët e KZQV së Tiranës, I.Celibashi ndëshkoi kështu të vetmit njerëz që para Kolegjit Zgjedhor evidentuan dhe denoncuan manipulimin skandaloz që u bë me zgjedhjet në Tiranë” - tha zoti Paloka. Opozita shpreson se do të arrijë të ndryshojë listat e votuesve përpara 28 dhjetorit. Përkrahës të PD do të mbajnë nesër një tjetër tubim proteste ndaj parregullsive në zgjedhje, në të njëjtën kohë me mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, që po përgatit mes tensionesh të brendshme kongresin e 12 dhjetorit.

//rd//

XS
SM
MD
LG