Lidhje

Ish-nënpresidenti Al Gore shpreh mbështetjen për Howard Dean - 2003-12-10


Rivalët e Howard Deanit në garën për emërimin si kandidat i Partisë Demokrate për president nuk po tërhiqen megjithë mbështetjen që zoti Dean mori të martën nga ish-nënpresidenti Al Gore.

Deklarimi i mbështetjes nga zoti Gore ishte lajm i mirë për fushatën e kandidatit Dean. Por, gjatë një debati televiziv në New Hampshire, një nga shtetet e para ku do të zhvillohen zgjedhjet paraprake, rivalët e zotit Dean u treguan të vendosur në garën e tyre presidenciale.

Kur një nga drejtuesit e debatit u kërkoi nëntë kandidatëve të ngrinin dorën nëse mendonin se Howard Deani mund të fitonte ndaj presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm, vetëm zoti Dean ngriti dorën.

Një nga një, rivalët e zotit Dean u zotuan të luftojnë për të fituar votat në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike që fillojnë në shtetin Iowa më 19 janar.

“Gara nuk përfundon derisa të hidhen dhe të numërohen të gjitha votat”, tha Senatori John Kerry i shtetit Massachusetts.

Senatori Joseph Lieberman ishte më i prekuri nga mbështetja që zoti Gore shprehu për fushatën e zotit Dean. Senatori Lieberman ishte kandidat për nënpresident në fushatën presidenciale të Al Gorit të vitit 2000 dhe vendosi të hynte në garën presidenciale të 2004-ës vetëm pasi zoti Gore vendosi të mos merrte pjesë. “Vlerat për ne ishin të rëndësishme. Ne ishim të interesuar për shkurtimin e taksave për klasën e mesme dhe për të punuar me bizneset për krijimin e vendeve të punës. Howard Deani dhe tani Al Gore duket se janë në anën e gabuar përsa u takon këtyre çështjeve”, tha zoti Lieberman.

Kandidati tjetër demokrat, Senatori John Edwards i Karolinës së Veriut, tha se demokratët nuk janë ende të gatshëm t’i japin kurorën Howard Deanit. Edhe ligjvënësi Richard Gephardt i Misurit, tha se ai do të ishte kandidati më i mirë për të sfiduar presidentin Bush në disa shtete kyçe të pjesës qëndrore të vendit. Më në fund zotit Dean iu dha rasti të përgjigjej.

“Nëse jeni të pakënaqur nga mbështetja që më dha Al Gori, i drejtoni kritikat kundër meje e jo kundër Al Gorit. Zoti Gore punoi shumë në garën presidenciale të vitit 2 mijë, të cilën në të vërtetë nuk i humbi. Ai fitoi një numër më të madh votash popullore se Presidenti Bush dhe nuk meriton të sulmohet nga asnjë prej nesh”, tha zoti Dean.

Pjesa tjetër e debatit u mbizotërua nga kritikat e kandidatëve demokratë ndaj mënyrës sesi presidenti Bush po përpiqet të zgjidhë problemet në Irak. Të nëntë kandidatët vazhdojnë të bëjnë thirrje për një angazhim më të madh të Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera në Irak për të ndihmuar në procesin e kalimit të tij në demokraci.

Me mbështetjen e zoti Gore, Howard Deani duket se është në pozitë të fortë për të fituar emrimin si kandidat i Partisë Demokratike për president. Ai udhëheq në sondazhet e organizuar në prag të zgjidhjeve në shtetet Iowa e New Hampshire dhe ka mbledhur më shumë para se çdo kandidat tjetër, shumica në formë dhurimesh përmes internetit.//kk//

XS
SM
MD
LG