Lidhje

Përfundon takimi i Brukselit pa një marrëveshje mbi kushtetutën e Bashkimit Evropian - 2003-12-13


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i dhanë fund një takimi të nivelit të lartë në Bruksel, pasi dështuan të binin dakord mbi një kushtetutë për organizatën e tyre. Presidenca italiane e Bashkimit Evropian njoftoi se udhëheqësit nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjet lidhur me çështjen se sa vota duhet të vetë secili vend anëtar në procesin e marrjes së vendimeve.

Skeptikët kishin thënë për një kohë të gjatë se çështja e të drejtës së votimit për secilin vend do të ishte problemi më i vështirë për t’u zgjidhur kur udhëheqësit evropianë të diskutonin mbi kushtetutën. Ata kishin të drejtë.

Takimi i nivelit të lartë të Brukselit dështoi pasi Spanja dhe Polonia nuk pranuan të hiqnin dorë nga këmbëngulja për të pasur vota thuajse të barabarta me vendet me popullsi më të madhe si Gjermania dhe Franca.

Gjermania dhe Franca, të mbështetura nga shumica e vendeve anëtare, këmbëngulën që të drejtat e votimit duhet të jepen në bazë të popullsisë së çdo vendi.

Italianët, të cilët gjatë drekës sot ofruan propozime komromisi, pranuan se nuk ishte arritur një marrëveshje.

Diplomatët thanë se bisedimet mbi kushtetutën janë shtyrë dhe do të rifillojnë vitin e ardhshëm, kur Irlanda të ketë presidencën e radhës. Megjithatë nuk është caktuar ende data.

Një diplomat holandez tha se dështimi i takimit të Brukselit mbi kushtetutën, për të cilën ai fajësoi mungesën e vendosmërisë politike, do të dëmtojë besueshmërinë e Bashkimit Evropian në sytë e qytetarëve të vet.

//ze//

XS
SM
MD
LG