Lidhje

Kongresi amerikan mbyll punimet për vitin 2003 - 2003-12-13


Kongresi amerikan i mbylli punimet për këtë vit, pasi Senati e shtyu për në janar shqyrtimin e një projekt-buxheti gjithëpërfshirës pë financimin e një numri agjencish qeveritare.

Ndërmjet arritjeve të përmendura nga republikanët është miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i paketës prej 87 miliardë dollarë shpenzimesh për Irakun dhe Afganistanin, i ligjit per reformat në fushën e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe i një pakete prej 350 miliardë dollarësh si shtysë për ekonominë amrikane.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Bill Frist, thotë se është i kënaqur me arritjet e sivjetme të kongresit.

“Në janar përcaktuam objektiva të larta dhe unë do të thosha se i kami tejkaluar shpresat tona. E çuam Amerikën para dhe do të vazhdojmë kështu në muajt e ardhshëm, sepse ka mjaft për të bërë”.

Në rendin e ditës të senatorit Frist, kur të mblidhet Kongresi muajin e ardhshëm, bëjnë pjesë disa projekt-ligje shumë të rëndësishme që janë bllokuar në Senat. Në to përfshihet një projekt-ligj mbi energjinë - ndër përparësitë kryesore të Presidentit Bush - dhe një paketë masive gjithëpërfshirëse e cila do të financonte ndihmën për jashtë, transportin, arsimin, shëndetësinë e programe të tjera. Të dy projekt-ligjet janë miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Kongresi duhet të kishte miratuar 13 projekt-buxhete për financimin e agjencive federale deri më 1 tetor, kur fillon viti i ri fiskal. Por deri tani, vetëm gjashtë projekt-buxhete janë nënshkruar nga presidenti. Pjesa tjetër është përfshirë në një paketë e cila pritet të miratohet nga Senati.

Shumica republikane, përfshirë Senatorin Frist, fajësojnë demokratët duke thënë se pengesat e tyre të qëllimta janë arësyeja se përse Senati nuk e përfundoi punën e tij në kohë.

Por demokratët i mbrojnë qendrimet e tyre në Kongres për bllokimin e projekt-ligjit për energjinë e të paketave të tjera duke thënë se ato përmbajnë shumë kauzola që favorizojnë grupet me interesa të veçanta. Ata thonë për veten e tyre se janë lënë jashtë procesit të hartimit të projekt-ligjeve të përshtatshme për kompromis.

Udhëheqësi demokrat në Senat, Tom Daschle, shkon edhe më tej përmes një vlerësimi negativ të veprimtarisë së kongresit për këtë vit.

“Ky vit ishte një zhgënjim i madh; ishte rezultat përparësish të të paorientuara si duhet dhe i mospranimit nga ana e republikanëve për të bërë kompromis në asnjërën prej çështjeve radikale të rendit të tyre të ditës”.

Vëzhguesit thonë se është ende herët të vlerësohet ndikimi i arritjeve të Kongresit në zgjedhjet presidenciale dhe për në kongres vitin e ardhshëm.

Thomas Mann i Institutit Brookings thotë se është shumë herët të thuhet se çfarë efekti do të kenë fitoret e zotit Bush në kongress në zgjedhjet e vitit 2004. Ai thekson se amerikanët kanë mendime të ndryshme nëse lufta dhe pushtimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më të sigurta, nëse projekt-ligji për reformën në shëndetësi do ta fuqizojë apo dëmtojë kujdesin shëndetësor për të moshuarit, dhe nëse paketa për shkurtimin e taksave - e cila po e thellon deficitin fiskal rekord të Shteteve të Bashkuara - do ta ndihmojë ekonominë.

“Mbetet të shihet nëse publiku do të gjykojë vendimet e Kongresit dhe të Presidentit si përgjithësisht pozitive dhe të dobishme apo negative e të dëmshme. Puna e presidentit Bush dhe e Kongresit të kontrolluar nga republikanët është jashtëzakonisht e diskutueshme. Ka shumë qendrime të ndryshme nëse politikat që janë vënë në zbatim, po e ndihmojnë apo e dëmtojnë Amerikën dhe ata që pretendojnë të përfitojnë prej këtyre politikave”.

Megjithatë, udhëheqësit republikanë shpresojnë të realizojnë një rend të ngjeshur dite për vitin e ardhshëm. Zoti Mann thotë se tradicionalisht, asnjëra parti nuk është e dhënë tepër e dhënë të bëjë kompromis. Ai beson se edhe viti i ardhshëm nuk do të bëjë ndryshim.

“Presidenti Bush është i bindur se tani i ka të gjitha ç’farë i duhet, për zhvillimin e fushatës për t’u rizgjedhur dhe nuk është shumë i interesuar t’u bëjë lëshime të tjera demokratëve. Ai do ta mbajë bazën e tij të gjallë. Demokratët nuk janë të stimuluar të bëjnë kompromis tani me presidentin. Ata duan të shprehin me forcë pozicionin e tyre të kundërt në mënyrë që të ndezin zemërimin e demokratëve në mbarë vendin dhe të përpiqen të argumentojnë kritikat e tyre kundër presidentit, dhe jo të negociojnë me të”.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit do të kthehen në Kongres më 20 janar.//kk//

XS
SM
MD
LG