Lidhje

Kongresi socialist zgjedh një Komitet të ri Drejtues - 2003-12-15


Partia Socialiste ende po pret rezultatet e votimit të Kongresit për Komitetin e ri Drejtues, ndërsa në radhët e politikanëve socialistë ndihet një tension i lartë. Komisioni i votimit vazhdon një numërim maratonë prej dy ditësh për të nxjerrë anëtarët e rinj të KPD, ndërsa vëzhgues të ndryshëm vlerësojnë jozyrtarisht se delegatët kanë ruajtur edhe këtu pothuaj po ato raporte votash që ndanë në votimin për kryetar partie midis zotërinjve Fatos Nano, Rexhep Mejdani dhe Edi Rama.

Deputetët përkrahës të ish-kryeministrit Ilir Meta nuk morën sot pjesë në mbledhjen e zakonshme të grupit parlamentar, cka u pa prej politikanëve dhe gazetarëve të pranishëm si një reagim ndaj rezultateve të Kongresit.

Sekretari për marrëdhëniet me publikun i PS, Bardhyl Agasi, thotë se procesi i votimit dhe i numërimit është krejt i hapur dhe i vëzhguar drejtpërdrejt nga dhjetëra persona si dhe nga shtypi. “Shumica e figurave qendrore të PS janë rizgjedhur, po ashtu edhe shumë deputetë të grupit të zotit Meta” - shtoi ai. Zoti Agasi tha se KPD do të miratojë propozimet për më shumë se dy ministra të rinj, që do të paraqiten nga kryeministri Nano për rindërtim të kabinetit.

“Tashmë është bërë e ditur se do të ketë një rikompozim pothuajse të plotë, në mënyrë që të kemi një qeveri të sigurtë dhe të suksesshme për ta cuar deri në fund mandatin tonë. Kemi thënë se Kongresi do t’i japë zgjidhje këtij problemi. Për dy-tre ditë përfundon procesi i votimit me zgjidhjen e kryesisë së partisë dhe më pas ndryshimet në qeveri” - tha zoti Agasi.

Kryeministri Fatos Nano u rizgjodh nga Kongresi kryetar i PS me 80% të votave të delegatëve, të cilët po ashtu miratuan në statut ndëshkime për ata deputetë që votojnë kundër vendimeve të forumeve të partisë, sic ndodhi me emërimet e dy ministrave të rinj pak javë më parë. Një votim i ngjashëm është sërish i afërt, cka do të tregojë nëse PS e zgjidhi vërtet krizën me këtë kongres të saj.

//rd//

XS
SM
MD
LG