Lidhje

Meta: Në Kongres zoti Nano u vetshpall prijës - 2003-12-15


Fitorja e Kryeministrit Fatos Nano në Kongresin e Partisë Socialiste duket se krijon një situatë të re brenda kësaj partie. Pas konsolidimit të pushtetit, a do të jetë kryeministri Nano në gjendje të zgjidhë krizën qeveritare? Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish kryeministri Ilir Meta, tha se Kongresi i Partisë Socialiste ishte një turp historik dhe se ai tregoi se Partia Socialiste ka marrë një drejtim autoritar.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, Kryeministri Nano dhe përkrahësit e tij e kanë cilësuar Kongresin e VI si një ngjarje historike që shënon, sipas tyre, thellimin e demokracisë në rradhët e Partisë Socialiste. Si e cilësoni ju mënyrën se si u zhvillua ky Kongres dhe çfarë vendi do të zërë ai në historinë e partisë suaj?

Ilir Meta Mendoj se nuk mund të pritet ndonjë vlerësim tjetër nga të gjithë ideatorët dhe ekzekutorët e kësaj lloj demokracie që paraqiti i gjithë procesi parakongresual, apo edhe fundi i këtij Kongresi për Partinë Socialiste por edhe për gjithë historinë e saj dhe në raport me opinionin publik. Kështu që besoj se pa e tepruar mund ta konsideroj këtë Kongres si një turp të madh historik, si një njollë të zezë jo thjesht në historinë e Partisë Socialiste por edhe në gjithë jetën politike në vend që prej vitit 1990. E konsideroj madje si një Kongres shumë më regresiv se sa Kongresi i X i Partisë së Punës i cili në fund të fundit solli diçka më pozitive. Mjafton jo vetëm të shikojmë gjithë procesin parakongresual por mjafton t’ju kujtoj juve dhe të gjithë dëgjuesve tanë se kalimi në votim të hapur i disa neneve statutore, veçanërisht ai që kishte të bënte me ndarjen apo bashkimin e mandateve të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit i cili katër vjet më parë, në Kongresin e mëparshëm, u kërkua nga zoti Nano pra, që të ndaheshin dhe u votua në mënyrë të fshehtë. Dhe kalimi i tij në mënyrë të hapur pra kuptohet, përpara një Kongresi ku rreth 500 apo më shumë delegatë, të gjithë ishin punonjës buxhetorë dhe të cilëvë u ishte bërë një presion sistematik që nga fillimi në momentin e përzgjedhjes së tyre delegatë e deri në gjithë procesin e votimit, apo edhe kalimi në mënyrë të hapur edhe i votimit për të bërë çregjistrimin e të gjithë atyre që votojnë ndryshe, të cilat ishin kërkuar në mënyrë të fshehtë. Injorimi i të gjitha kërkesave të kandidatëve alternativë për të bërë votimet të cilat kishin të bënin me platformat e tyre dhe me ndryshimet statutore në mënyrë të fshehtë, tregon shumë qartë se ky Kongres jo vetëm që nuk është një sukses historik por vërtet që është një turp historik. Për të mos vazhduar më pas me gjithë procesin e drejtimit të Kongresit, me gjithë procesin e votimit, me procesin e formimit të Komisionit të Votimit, ku ishte një skenar i parapërgatitur për të vendosur në Komision njerëz fanatikë të kryeministrit Nano dhe ku u detyruan edhe dy përfaqësues të dy kandidatëve për kryetar që të largoheshin pasi nuk lejoheshin më të kishin kontrollin e tyre gjatë procesit të numërimit të fletëve për anëtarë të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Pra, gjithë ky kongres, duke marrë në konsideratë edhe fjalën e zotit Nano përpara momentit të rizgjedhjes, treguan qartë se sa shumë ka shkarë Partia Socialiste, se sa i rrëzikshëm është bërë drejtimi i saj autoritarist dhe në fund të fundit tregoi se në këtë Kongres nuk u zgjodh apo u rizgjodh një kryetar por u zgjodh një prijës siç u vetëshpall edhe zoti Nano.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, a mendoni se taktika juaj për bllokimin e kandidaturave të zotit Nano në parlament shkaktoi efektin e kundërt duke shtuar mbështetjen e bazës për zotin Nano?

Ilir Meta Absolutisht nuk mendoj se kjo ka qenë arsyeja, përkundrazi unë mendoj se veprimi ynë ka qenë shumë i arsyeshëm dhe i argumentuar. Ky është një pretekst për të justifukuar këtë votim gjoja të bazës sepse ne e dimë se si janë zgjedhur dhe e dinë edhe gjithë socialistët në të gjithë vendin si janë zgjedhur këta delegatë. Por ky ka qenë një skenar prej kohësh sikurse e kemi bërë të qartë i zotit Nano për të eliminuar të gjithë njerëzit të cilët mendojnë ndryshe dhe për të fiksuar përfundimisht një model unitar të drejtimit të Partisë Socialiste dhe në këtë mënyrë për të vendosur gjoja stabilitet në kurriz të demokracisë dhe për të kontrolluar gjithë jetën politike dhe institucionale në vend dhe sigurisht edhe për të mbrojtur në mënyrë të vendosur gjithë korrupsionin që tashmë po zhvillohet nën udhëheqjen e tij në gjithë vendin dhe i cili ka përfshirë të gjitha strukturat e Partisë Socialiste në nivele të ndryshme. Pra flas për zyrtarët dhe drejtorët, flas për ata që gjoja përfaqësonin edhe në këtë Kongres bazën socialiste, shumica e të cilës ka të njëjtat probleme dhe shqetësime që kanë gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, megjithëse votimi për Komitetin e Përgjithshëm Drejtues nuk ka përfunduar ende, duket se shumica e kundërshtarëve të zotit Nano nuk do të zgjidhen në këtë forum. Duke patur parasysh këtë, si dhe rregullat e reja që ndëshkojnë deputetët të cilët mund të votojnë kundër shumicës në parlament, a mendoni se përpjekjet tuaja për të luftuar ato që ju i keni cilësuar si prirje autoritare të zotit Nano mund të dështojnë?

Ilir Meta Unë mendoj se këtu nuk bëhet më fjalë për zgjedhje të anëtarëve të caktuar të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Këtu bëhet fjalë për emërime dhe lista në fund do të jetë një kompromis i të emëruarve të zotit Nano dhe të zotit Ruçi dhe përfundimisht jam i bindur se jo vetëm që nuk është shprehje e vullnetit të Partisë Socialiste por frika nga liria për të votuar nga ai komision votimi i balancuar, nga organizimi i mënyrës së fshehtë të votimit sepse në qoftë se do ta shikoni votimi ka qenë tërësisht i hapur dhe i kontrollueshëm, tregon qartë se në fund të fundit edhe nëse disa njerëz nga ata që kanë votuar kundër ministrave do të hyjnë në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, këta do të jenë të përzgjedhur thjesht për qëllime diversioni dhe aspak për arsye të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, pritet që në të ardhmen e afërt Kryeministri Nano do të përpiqet që të plotësojë kabinetin e tij. Cili do të jetë tani qendrimi juaj për rikompozimin e qeverisë dhe si do të veproni në qoftë se sugjerimet tuaja nuk merren parasysh?

Ilir Meta Mendoj se ky kongres jo vetëm që nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në arsyetimin tim politik për të reflektuar ndaj qëndrimeve të mëparshme por mënyra e turpshme se si u morr vendimi në mënyrë të hapur dhe jo to fshehtë për çregjistrimin e të gjithë atyre që votojnë ndryshe, mënyra e turpshme se si është instaluar një klikë e dhunshme, një klikë e pashpirt, e paarsyeshme dhe e korruptuar në forumet më të larta të Partisë Socialiste që u rikonfirmua edhe në këtë Kongres. Mënyra se si është përdorur qeverisja e vendit nga ana e zotit Nano duke shpërdoruar pushtetin ekzekutiv për të instaluar një klikë të tillë, jo vetëm se nuk sjell një ndryshim në qëndrimin tim politik por përkundrazi, më rrit përgjegjësinë përpara vendit dhe qytetarëve të tij, përpara demokracisë në Shqipëri sepse kësaj klike i duhet thënë ndal me të gjitha mënyrat dhe format demokraike.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, duke marrë parasysh të gjitha këto që thoni për zotin Nano. A e shihni të ardhmen në Partinë Socialiste apo keni plane për të krijuar një parti të re.

Ilir Meta Nuk ka qenë dhe nuk mbetet synimi im krijimi i një partie të re, por ka qenë dhe mbetet shërimi i Partisë Socialiste nga këto sëmundje dhe fenomene të cilat tashmë janë agravuar në përmasa skandaloze dhe të turpshme. Unë vazhdoj të mbetem socialist siç kam qenë prej 12 vjetësh dhe njëkohësisht jam i bindur se duke mbetur i tillë, kjo nuk do të thotë se do të mund të pranoj zgjidhje të turpshme, forume të turpshme të cilat jo vetëm nuk shprehin vullnetin e të gjithë socialistëve por janë aq larg atij mentaliteti dhe botëkuptimi që sot kanë shqipëtarët për demokracinë dhe të ardhmen e tyre dhe janë aq larg atyre reformave që duhet bërë për të afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian.//rd

XS
SM
MD
LG