Lidhje

Irak: kapet një udhëheqës i kryengritësve - 2003-12-16


Zyrtarët ushtarakë amerikanë njoftuan se forcat e koalicionit kanë kapur një udhëheqës të kryengritësve irakianë dhe të paktën 77 irakianë të tjerë, gjatë një sulmi në qendër të Irakut.

Një zëdhënës i ushtrisë tha sot se i dyshuari kryesor gjatë sulmit, Quiss Hattam, ishte i pesti në listën e të të ashtuquajturve ”objektiva të rëndësishëm”.

Trupat amerikane gjithashtu kapën sot materiale për ndërtimin e bombave, gjatë operacionit që u zhvillua në veri të Bagadadit.

Po sot, tre ushtarë amerikanë u plagosën gjatë shpërthimit të një bombe në anë të rrugës, në qytetin Tikrit, vendlindja e Saddam Husseinit.

Më pas, zyrtarët ushtarakë amerikanë dërguan tanke, automjete ushtarake dhe helikopterë në Tikrit, për të shpërndarë përkrahësit e ish-udhëheqësit irakian, të cilët po protestonin kundër kapjes së tij.

Përforcimet ushtarake ndërmerren një ditë, pasi trupat amerikane u përleshën me besnikët e Sadam Husseinit, në incidente të ndryshme në të gjithë Irakun.

Trupat amerikane vranë 11 kryengritës irakianë, të cilët po përpiqeshin të kryenin një sulm ndaj një patrulle amerikane në qytetin e Samarrës, në veri të Bagdadit.

Forcat amerikane gjithashtu vranë 4 prej protestuesve, kur protestat u bënë të dhunshme, në dy qytete në perëndim të Bagdadit. Gjatë incidenteve, u plagosën dy ushtarë amerikanë.

Ndërkohë, në qytetin jugor të Basrës u grumbulluan qindra vetë, për të treguar mbështetjen e tyre për kapjen e ish-presidentit irakian, duke kërkuar dënimin e tij me vdekje. Një demonstratë e ngjashme u zhvillua edhe në Bagdad.

//rd//

XS
SM
MD
LG