Lidhje

Në Irak përfundoi një periudhë e errët - 2003-12-17


Në Irak përfundoi një periudhë e errët dhe plotë vuajtje. Sadam Huseini u arrestua dhe do të nxirret para drejtësisë. Mirëpo, ky nuk është i vetmi zhvillim i rëndësishëm që ka ndodhur në Irak gjatë këtij muaji.

Mbi 20 fermerë dhe përfaqësues të ndërmarrjeve bujqësore morën pjesë në takime të organizuara në qytetet irakiane Arbil dhe Sulejmanijeh. Ata diskutuan rreth shitblerjes së prodhimeve dhe rëndësisë së një ministrie irakiane të bujqësisë si partnere në krijimin e mundësive për kërkime, kualifikim dhe shërbime të tjera.

Edhe anëtarët e koalicionit po japin ndihmesë në përparimin e Irakut. Qeveria japoneze miratoi dërgimin e më shumë se 600 trupave jo luftarake për të ndihmuar në procesin e rindërtimit të Irakut. Trupat japoneze do të dërgohen në pjesën jugore për të ndihmuar në rindërtimin e shkollave dhe për furnizim me ujë, shërbime mjekësore e ndihma të tjera humanitare.

Nga ana e tyre, edhe irakianët po tregojnë mbështetjen për koalicionin. Ajo që gazetarët e cilësuan ndoshta si demonstratën më të madhe në Bagdad, u zhvillua më 10 dhjetor. Një numër i madh demonstruesisht protestuan kundër diktaturës dhe dënuan terrorizmin.

Husein al-Musaja, një ish mërgimtar që organizoi tubimin, i tha agjencisë franceze të lajmeve se demonstrata ishte edhe një mesazh falenderimi për forcat e koalicionit, që çliruan Irakun. Një demonstrues tjetër, Faruk al-Shamari, tha se nuk i përket asnjë partie politike, por se është kundër terrorizmit dhe fashizmit. “Ne, theksoi ai, kemi jetuar nën agresion dhe fashizëm për 40 vjet.” Tani kjo periudhë e errët mori fund.

Presidenti Bush thotë se populli irakian nuk do të frikësohet kurrë më nga sundimi i Sadam Huseinit. “Të gjithë irakianët që janë në anën e lirisë, janë me fitimtarët. Tani, të gjithë irakianët mund të bashkohen, të kundërshtojnë dhunën dhe të ndërtojnë Irakun e ri”, tha Presidenti Bush.

Objektivat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë të qarta. Ato janë: sovranitet për popullin irakian, dinjitet për kulturën irakiane dhe mundësi për një jetë më të mirë për të gjithë irakianët.//xh//

XS
SM
MD
LG