Lidhje

President Moisiu: zgjedhjet të parakohëshme, nëse nuk zgjidhet kriza politike - 2003-12-18


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu mbajti të enjten një fjalim të rëndësishëm në parlament ku ngrinte shqetësimet e tij rreth gjendjes politike në Shqipëri dhe qeverisë që prej një kohe të gjatë nuk po arrin të plotesojë vendet e dy ministrave në kabinet. Presidenti Moisiu paralajmëroi se në qoftë se ligjvenësit dhe forcat politike nuk nxjerrin dot një qeveri të qëndrueshme, të plotë dhe legjitime, atëherë vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Socialistët shprehën mirëkuptim për mesazhin e Presidentit. Sekretari për marrëdhëniet me publikun, Bardhyl Agasi, tha se ka ardhur çasti kulmor dhe nuk mund të pritet më për ndryshimet në qeveri, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, tha se mesazhi i presidentit Moisiu ishte i vonuar. Presidenti Moisiu i dha një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti President, fjala juaj sot në parlament pasqyronte shqetësimin e thellë për gjendjen e përgjithshme dhe pasojat e vazhdimit të krizës politike për imazhin ndërkombetar si dhe zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. A mendoni se aktorët kryesore politikë janë po aq të shqetësuar sa ju për gjendjen jo normale në të cilën gjendet sot Shqipëria?

President Alfred Moisiu: Pyetja është shumë me vend, mendoj unë. Normalisht sigurisht që duhet të jenë të shqetësuar, por sigurisht që secila forcë e shikon në këndvështrimin e vet. Megjithatë zgjidhja është faktike dhe ajo nuk varet me çfarë gjyslykesh shikohet. Është e drejtë dhe është fakt që imazhi i Shqipërisë, imazhi ndërkombëtar i saj nuk është më ai që ishte deri në qershor të vitit 2003. Gjithashtu përsa u përket problemeve të integrimit, kemi një rënie të ritmit dhe të reformave, por megjithatë veçori e kësaj krize do të thoja është që opinioni publik në përgjithësi, populli në tërësi, ekonomia, sektori privat vazhdojnë punën e tyre, për vetë faktin sepse, nuk mund të themi se janë mësuar me kriza, por kjo është një gjë për t’u theksuar që në përgjithës ekonomia shqiptare private është më pak e varur tani nga politika dhe vazhdon punën e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumë besojnë se pas perfundimit të Kongresit të Partisë Socialiste, Kryeministri Nano ka shansin e fundit për zgjidhjen e krizës në qeveri. Në fjalën tuaj sot ju theksuat se prisni një zgjidhje të shpejtë të kësaj çeshtjetje. Por në qoftë se nuk ka një zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kriza vazhdon ose thellohet edhe më tej, a do të ngurronit ju që ta çoni vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare?

President Alfred Moisiu: Këtë çështje Kushtetuta e parashikon me shumë saktësi dhe jep variantet sesi shkohet ose sesi mund të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Uroj që kjo të mos ndodhë, por sigurisht që nëqoftëse zgjidhja nuk do të jepet, patjetër që ne jemi të detyruar të shkojmë drejt kësaj zgjidhjeje. Por e vetmja gjë që desha të them, që e thashë edhe sot para parlamentit është se ne kemi dy probleme, të paktën dy probleme shumë të rëndësishme të cilat duhet të zgjidhen para se të hyjmë në zgjedhje: e para zgjedhjet e 12 tetorit treguan se kodi megjithëse është një hap përpara, ka disa mangësi të cilat duhen riparuar. Pa eliminimin e tyre është e vështirë të futemi në zgjedhje. Dhe ajo që është më e rëndësishme, problemi i listave. Pa rregulluar listat zgjedhore, sigurisht që do të ishte normale, do të krijohesh një konfuzion akoma më i madh nga ky që u krijua më 12 tetor, me rastin e zgjedhjeve lokale. Pra këto dy probleme ne duhet t’i zgjidhim, në mënyrë që të hyjmë normalisht në zgjedhje dhe sigurisht që këtu ka rëndësi të madhe të kemi një vullnet të përbashkët mes partive për zgjidhjen e këtyre dy problemeve.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Ju tani e gjeni veten në shënjestër të kritikave nga të dyja palët: partia në pushtet ju shikon si president të opozitës, ndërsa opozita, ose të paktën forca kryesore e opozitës -- Partia Demokratike, ju fajëson për moszgjidhjen e krizës qeveritare si dhe për zgjedhjet vendore. Sa të vështirë e ka Presidenti i Shqipërisë që të luajë rolin e arbitrit në jetën politike sot?

President Alfred Moisiu: Zoti Elez, konstatimi juaj është shumë i drejtë, por ka diçka: është hera e parë ndoshta që mbas zhvillimeve demokratike që Shqipëria ka një president, që nuk është pjesë e asnjë force politike dhe që sigurisht që akoma mesa duket politika shqiptare nuk është mësuar me një zgjidhje të tillë, të cilën vetë e ka vendosur t’i hapë rrugë kësaj zgjidhjeje. Por siç e kam theksuar edhe në fjalimin tim që bëra para parlamentit, unë do t’i shërbej vendit tim, do t’i shërbej popullit tim dhe do bëj gjithçka që kërkojnë ligjet dhe Kushtetuta shqiptare. Kam deklaruar që asnjëherë nuk do të jem pjesë e krizave, nuk do krijoj kriza dhe vazhdimisht do të qëndroj mbi krizat. Asnjëherë nuk do të bëhem palë me asnjë forcë politike, por do të qëndroj mbi forcat politike dhe për këtë unë jam mëse i vendosur dhe e kam sqaruar disa herë dhe shpresoj që politika shqiptare ta ketë kuptuar tashmi këtë qëndrim timin dhe mendoj se fakti që unë siç thatë edhe ju, kritikohem nga të dy krahët tregon pikërisht këtë që unë po i përmbahem premtimit tim.

Zëri i Amerikës: Zoti Moisiu, politikanët shqiptarë shpesh drejtojnë lloj-lloj akuzash kundër njëri-tjetrit -- akuza për korrupsion dhe veprimtari të paligjshme, për lidhje me krimin e organizuar, etj. Gjithashtu, dëgjohen akuza kundër institucioneve. Të gjitha këto, sipas vëzhguesve, kanë çuar në humbjen e besimit tek personalitetet e larta dhe tek institucionet. Si mund të rikthehet besimi tek institucionet, si mund të binden politikanët shqiptarë që të tregohen më të përmbajtur në deklaratat e tyre publike?

President Alfred Moisiu: Ky konstatim jo vetëm që është i drejtë, por është për të ardhur keq që po vazhdohet në këtë rrugë. Është shumë e drejtë që tek neve politikanët për të akuzuar njëri-tjetrin e kanë si gjënë më të lehtë, siç thotë populli “në majë të gjuhës” dhe pa llogaritur efektet që ka një kritikë e tillë e pabazuar. Unë shpesh herë e kam ngritur këtë problem dhe sot e përmenda edhe para parlamentit shqiptar, që unë nuk do të pranoja në listat e ministrave që mund të paraqiten, personalitete të cilët janë akuzuar qoftë edhe nga vetë forca në të cilën ata bëjnë pjesë. Sigurisht nëqoftëse këtyre njerëzve nuk u hiqet kjo akuzë, të bëhet publike dhe unë them që po të vëmë re kohët e fundit ka ritmi i akuzave të këtij karakteri dhe shpresoj që fjalët e mia të kenë pasur një farë efekti. Në të njëjtën kohë është shumë e drejtë që akuzohen institucionet kushtetuese dhe kjo tregon gjithashtu sepse një institucion kushtetues konsiderohet i rregullt kur merr një vendim, ose bën një veprim në përputhje me interesat e një faktori politik, kur ai vendos diçka për një problem që nuk përputhet me këto interesa, atëherë menjëherë ai atakohet. Sigurisht kjo nuk është normale. Nuk është normale për faktorin politik, por kjo tregon që institucionet tona kushtetuese po hyjnë në rrugën e normalitetit, e shtetit demokratik. Provë për këtë ka qenë vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor i cili riktheu votimin në 118 qendra votimi në qytetin e Tiranës. Interesante ishte se menjëherë u sulmua nga pala që cënohej në këtë rast. Kjo tregon që ky kolegj zgjedhor, ky organ kushtetues i zgjedhur në bazë të kërkesave të Kodit Zgjedhor dhe me prezencën e gjithë përfaqësuesve të forcave politike, veproi tamam ashtu siç duhet. Pra kjo tregon që institucionet kushtetuese po dalin në rrugën e pavarësisë së tyre dhe ky është një sihariq i mirë. Megjithëse nuk është mirë që këto sulmohen, por tregon që këto po e marrin veten dhe po kryejnë detyrën e tyre ashtu siç duhet. Nuk mund të them që kemi arritur kulmin, por neve sigurisht që këtu themi që duket që mentaliteti i partisë-shtet akoma nuk është zhdukur tek neve. Pra dihet që ka qenë dikur, në kohën e Partisë së Punës që ç’thoshte partia bënte populli dhe e bënin të gjitha institucionet. Pra shpeshherë duket fatkeqësisht nga thëniet apo vlerësimet e njërës forcë, apo tjetrës forcë që këto institucione t’i binden kërkesave, dëshirave dhe vendimeve të këtyre forcave politike. Dhe mesa duket politika ka punë akoma për t’u çveshur nga ky mentalitet, jo vetëm i gabuar, por shumë frenues, mentaliteti i partisë shtet.

Zëri i Amerikës: Zoti President, jemi në prag të vitit të ri. Megjithë vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet vendi juaj, a jeni optimist se viti i ri do të sjellë përparim për shoqërinë shqiptare?

President Alfred Moisiu: Mund të them që, sikurse e thashë edhe pak më parë, një veçori e kësaj krize është se ekonomia e vendit nuk ka ndjerë tronditje. Dhe kjo tregon se ekonomia jonë është e shkëputur nga ulje-ngritjet e krizave politike shqiptare. Në të njëjtën kohë, duhet thënë se dhe situata e qetësisë dhe e sigurisë nuk ka patur luhatje. Organet përkatëse kanë qenë në krye të detyrës dhe kanë vazhduar punën e tyre. Pra kjo tregon se këta elementë të rëndësishëm që përcaktojnë fizionominë e një vendi në raste krizash të rënda, janë në standardet e duhura. Pra, kjo më bën optimist. Në të njëjtën kohë, duhet thënë hapur, dhe unë e thashë edhe sot në parlament që më vjen mirë që çështja e vlerësimit në tërësi nga opinioni publik për problemet e zhvillimeve politike qëndron më lart se sa vlerësimet që bën politika. Të shikosh, populli në përgjithësi të gjykon shumë më drejtë. Kjo është një shenjë e pjekurisë së opinionit publik shqiptar gjë që parashikon një zhvillim më të mirë në të ardhmen dhe një dënim më të madh për forcat politike që nuk do të përputhen me interesat e opinionit publik dhe zhvillimit të vendit. Megjithatë, desha të shtoj një diçka, zoti Biberaj, që megjithë vështirësitë që duken, që i përmendët ju dhe unë bashkë me ju, këtu ka diçka që, dialogu midis forcave politike nëpërmjet institucionit të Presidentit të Republikës mbetet i gjallë për probleme nga më të ndryshmet. Pra kjo është një shenjë që na garanton se megjithë vështirësitë, ne do të gjejmë mundësinë dhe rrugët për t’i zgjidhur këto probleme në mënyrën sa më të përshtatshme për interesat e vendit dhe të shoqërisë shqiptare, pavarësisht nga kulminacionet e ndryshme që ato mund të marrin. Këtë optimizëm unë nuk do ta quaja joreal sepse e kam të bazuar në përvojën në përgjithësi dhe në dëshirat e vendit dhe të popullit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumë faleminderit dhe ju jemi shumë mirënjohës.

President Alfred Mosiu: Faleminderit zoti Elez dhe me këtë rast ju uroj juve dhe bashkëpunëtorëve tuaj, Gëzuar Vitin e ri dhe Krishtlindjet dhe gjithashtu shqiptarëve kudo që janë.

//rd//

XS
SM
MD
LG