Lidhje

Muamar Gadafi vendos të braktisë programin e tij të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike - 2003-12-20


Libia njoftoi se do të braktisë programin e saj të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike dhe do të lejojë inspektime ndërkombëtare pa kushte të qendrave të saj të armëve.

Në një deklaratë dje të ministrisë së jashtme në Tripoli thuhej se vendimi ishte bazuar në bisedimet e zhvilluara me zyrtarë amerikanë dhe britanikë.

Presidenti Bush dhe kryeministri britanik Tony Blair, njoftuan dje vendimin e Libisë, duke e vlerësuar këtë hap. Ata thanë se vendimi i Libisë pasoi veprimtari sekrete diplomatike për 9 muaj me radhë. Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se bisedimet me Libinë filluan pasi ai dhe zoti Blair ishin kontaktuar nga të dërguarit e udhëheqësit libian, Muamar Gadafi. Kontaktet e para filluan thuajse në të njëjtën kohë me ndërhyrjen e forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Kryeministri Blair e cilësoi vendimin e kolonelit Gadafi si historik dhe të guximshëm. Ai shtoi se vendimi i Libisë do ta bëjë më të sigurtë rajonin dhe botën. Presidenti Bush tha se udhëheqësit, që vendosin të heqin dorë nga programet e armëve të shkatërrimit në masë do të gjejnë, siç u shpreh ai, një rrugë të hapur për marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara.

Ekspertë amerikanë dhe britanikë vizituan qendrat e armëve të Libisë në muajin tetor dhe përsëri këtë muaj. Zyrtarët amerikanë thanë se programi i armëve bërthamore i Libisë ishte shumë më i avancuar se sa mendohej. Zyrtarët britanikë thanë se Libia ishte afër zhvillimit të një armë bërthamore.

//ze//

XS
SM
MD
LG