Lidhje

Komuniteti ndërkombëtar përshëndet vendimin e Libisë - 2003-12-20


Komuniteti ndërkombëtar e përshëndeti vendimin e Libisë për të hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Një numër vendesh thanë se vendimi i Libisë është një hap përpara drejt ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore dhe një shembull i mirë për vendet e tjera që kërkojnë të zhvillojnë armë bërthamore, kimike dhe biologjike.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Musa i bëri thirje Izraelit, i cili mendohet se ka armë bërthamore, të ndjekë shembullin e Libisë. Ministri i Jashtëm i Egjiptit Ahmed Maher, pa përmendur emrin e Izraelit, tha se vende të tjera në Lindjen e Mesme duhet t’u japin fund programeve për prodhimin e armëve bërthamore.

Izraeli tha se e përshëndet vendimin e Libisë. Radioja izraelite citoi ministrin e jashtëm Silvan Shalom sipas të cilit Libia po përgatit terrenin për t’u përfshirë në komunitetin ndërkombëtar.

Afrika e Jugut, e cila e eliminoi programin e saj bërthamor 10 vjet më parë, tha se veprimi i Libisë krijon kushtet që Afrika të arrijë vizionin e saj si një kontinent pa armë të shkatërrimit në masë.

Fuqitë bërthamore Rusia, Kina dhe Franca e vlerësuan veprimin e Libisë. Por ministri i jashtëm francez Dominik De Villëpë u bëri gjithashtu thirje zyrtarëve libianë t’u japin fund negociatave për kompensimin e familjeve të viktimave të shpërthimit në një avion francez në vitin 1989.

Ish kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët e shkatërrimit në masë Hans Bliks e përshëndeti hapin e Libisë. Ai i tha rrjetit televiziv CNN se udhëheqësi libian Moamar Gadafi mund të jetë nxitur nga ato që ndodhën në Irak, ku forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht në kërkim të armëve të shkatërrimit në masë.

//ze//

XS
SM
MD
LG