Lidhje

Lindja e Mesme ka qenë në qendër të ngjarjeve botërore gjatë gjithë këtij viti - 2003-12-20


Lufta në Irak zgjoi spekullime të shumta për një ringjallje të Lindjes së Mesme me më shumë demokraci, shoqëri më të hapura dhe zhvillim më të vrullshëm demokratik.

Për një farë kohe, konflikti izraelito-palestinez kaloi në plan të dytë. Por pas ndërhyrjes në Irak, Shtetet e Bashkuara filluan të bëjnë përpjekje për një zgjidhje të mosmarrëveshjes përmes një plani paqejePër herë të parë kjo nismë u bë publike dhe iu bë e njohur të dyja palëve në fund të prillit.

Më pas doli në skenë edhe vetë Presidenti Bush. Më 4 qershor ai foli duke patur përkrah Kryeministrin izraelit Ariel Sharon dhe Kryeministrin e atëhershëm palestinez, Mahmoud Abbas, në Aqaba të Jordanisë.

“Të gjithë ne këtu sot kemi një qëllim të përbashkët: një shtet palestinez dhe një shtet izraelit duhet të jetojnë së bashku në Tokën e Shenjtë, në paqe me njëri-tjetrin dhe me të gjitha vendet e tjera të Lindjes së Mesme”.

I hartuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrjen e Rusisë, Bashkimit Evropian dhe OKB-së, plani i paqes e ka bazën në disa propozime të mëparshme që nuk ishin vënë në jetë për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë plan paqeje bëhet thirrje që t’i jepet fund dhunës dhe të rifillohen negociatat që do t’i hapnin rrugën një marrëveshjeje përfundimtare paqeje dhe krijimit të një shteti të ri palestinez deri në fund të vitit 2005.

Në Aqaba, si Izraeli, ashtu edhe palestinezët e mbështetën planin e paqes.

Por asnjëra nga palët nuk bëri shumë përpjekje për të filluar zbatimin e tij. Dhe secila nga palët fajësoi tjetrën për dështimin.

Gjenerali izraelit në pension Shlomo Brum është bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe analist politik në Qendrën Jaffee për Studime Strategjike të Tel Avivit. Ai thotë se plani kishte një të metë që në koncept.

“Ai nuk eshte i qartë, sepse faza e tretë e tij lë shumë vend për spekullime dhe nuk u jep motivacion dy palëve për ta vënë atë në jetë, sepse nuk është e qartë se ku të çon”.

Dhe kështu cikli i dhunës vazhdoi. Të gjitha palët vazhduan të flisnin për rëndësinë e planit të paqes, por gjithmonë dilnin çështje të tjera.

Kryeministri Abbas dha dorëheqjen pas 100 ditësh në detyrë, i zhgënjyer kryesisht nga mungesa e vullnetit e udhëheqësit palestinez Yasser Arafat për t’ia lënë atij kontrollin e shërbimeve palestineze të sigurisë.

Zoti Arafat zgjodhi një kryeministër të ri, Ahmed Qureia por nuk dha ndonjë sinjal se ai do kishte më shumë pushtet se paraardhësi i tij.

Për disa muaj të dërguarit amerikanë nuk shkuan në rajon dhe dukej se plani ishte bllokuar.

Por një nismë që u ndërmor nga dy ish-ministra izraelit dhe palestinez, parashikonte një marrëveshje jozyrtare dhe u quajt Marrëveshja e Gjenevës. Ndryshe nga plani i paqes, ajo sugjeron kompromise konkrete.

Në të bëhet thirrje për një shtet palestinez të çmilitarizuar që të shtrihet në gjithë Rripin e Gazës dhe pothuajse gjithë Bregun Perëndimor, me një pjesë të Jeruzalemit si kryeqytet palestinez dhe pjesën tjetër si kryeqytetin izraelit.

Nisma u dënua menjëherë nga kryeministri Sharon, por administrata e Presidentit Bush e vlerësoi atë. Komuniteti ndërkombëtar dhe aleati i Izraelit, Shtetet e Bashkuara i rritën kritikat ndaj Izraelit.

Në këtë klimë zoti Sharon filloi të fliste për hapa të njëanshme, nëse nuk arrihet një marrëveshje me palestinezët.

Palestinezët nuk pranojnë asnjë veprim të njëanshëm nga ana e Izraelit, nëse qëllimi i tij është që të zevëndësojë një marrëveshje.

Në këto kushte, a po afron zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez? Analistët nga të dyja palët nuk mendojnë se viti 2004 do të sjellë shumë ndryshime.

Autorët dhe përkrahësit e nismave të ndryshme të paqes shpresojnë të fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje publike, gjë që pastaj mund të kthehet në trysni në rritje ndaj udhëheqjes izraelite dhe palestineze për të bërë më shumë, ose përndryshe të rrezikojnë të zëvendësohen nga udhëheqës të rinj që të bëjnë më shumë përpjekje.

//ze//

XS
SM
MD
LG