Lidhje

Sekretari Rumsfeld: Tregëtia e drogës po pengon aftësitë e popullit afgan për të rindërtuar vendin - 2003-12-22


Kultivimi i bimës që përdoret për prodhimin e opiumit dhe drogave të tjera, është një problem i madh dhe në rritje në Afganistan. Kultivimi i kësaj bime është dyfishuar në Afganistan midis viteve 2002 dhe 2003. Ky nivel është 36 herë më i lartë se ai i vitit 2001 - viti i fundit i regjimit taleban.

Kultivimi dhe kontrabanda e drogës po sabotojnë shtetin ligjor në Afganistan dhe po fryjnë xhepat e terroristëve, të cilët i përdorin fitimet nga droga për të financuar operacionet e tyre.

Prodhimi i drogave u krijon mundësi udhëheqësve fraksionistë vendorë afganë të mbajnë ushtri të vogla; u jep atyre një stimul financiar për të ruajtur autonominë dhe të kundërshtojnë autoritetin qendror. Si rrjedhim, qeveria e re e Afganistanit, e udhëhequr nga Hamid Karzai, nuk ka arritur të ushtrojë autoritetin e saj në shumë zona të vendit. “Tregëtia e drogës, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, po pengon aftësitë e popullit afgan për të rindërtuar vendin: “Njerëzit parashikojnë që prodhimi i bimës norkatike këtë vit të jetë i konsiderueshëm në Afganistan dhe do të përbëjë një pjesë të madhe të drogave të paligjshme që dërgohen në Evropë, Azi, Rusi dhe zona të tjera të asaj pjese të botës. Ky është problem shqetësues për qeverinë e presidentit Karzai dhe për të gjitha vendet anëtare të koalicionit. Britania po luan rol udhëheqës në përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndihmojnë”.

Me Britaninë në rolin udhëheqës, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të koalicionit po zbatojnë një strategji kundër drogës në Afganistan. Strategjia përqendrohet në nxitjen e mënyrave të tjera për të siguruar jetesën për bujqit që kultivojnë bimën norkatike. Ajo ka për synim që gjithashtu të forcojë programet për zbatimin e ligjit, ndalimin dhe eleminimin e kultivimit të bimëve norkatike, si edhe programet për rritjen vetëdijes së publikut për politikën e qeverisë kundër drogës.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në koalicion do të punojnë me popullin afgan për të luftuar kundër prodhimit dhe trafikut të norkatikëve, dhe do të qendrojnë përkrah tij gjatë periudhës së vështirë të kalimit në paqe, siguri e vetëqeverisje. “Ne, ka thënë Presidenti Bush, kemi dëshmuar në Afganistan se rruga drejt lirisë mund të jetë e vështirë. Ne kemi parë gjithashtu në Afganistan se rruga drejt lirisë është e vetmja rrugë që meriton të merret.” //az//

XS
SM
MD
LG