Lidhje

Kosovë: UNMIK-u nuk do të pengojë pjesmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë - 2003-12-22


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do pengojë pjesmarrjen e pjestarëve të komunitetit serb në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 28 dhjetor.

Në një komunikatë të këtij misioni thuhet se ekziston një mirëkuptim ndërkombëtar për respektimin e të drejtës së votuesve për të marrë pjesë në zgjedhje, për të cilat ata kanë të drejtë të votojnë, pavarësisht nëse ata nuk jetojnë në territorin e aministruar nga organet që organizojnë këto zgjedhje.

Në komunikatë që ishte reagim ndaj deklaratës së sotme të Parlamentit të Kosovës kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë më 28 dhjetor edhe në Kosovë, thuhet se banorët e Kosovës kanë të drejtë të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Misioni i Kombeve të Bashkuara nuk organizon votimet për institucionet jashtë territorit që administron, mirëpo, cdo veprim për pengimin e tyre do të ishte shkelje e të drejtave themelore demokratike dhe një gjë e këtillë është e papranueshme, thuhet në komunikatën e administrates së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Nderkohe, Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha sot se gjatë vitit të ardhshëm do të angazhohet për vazhdimin e procesit të privatizimit, kalimin e përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore dhe përmbushjen e standardeve.

Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë në qendrën sportive në Brezovicë, një zonë me shumicë serbe.

Kryeministri Rexhepi tha se gjatë vitit të ardhshëm, do të punojë për përshpejtimin e procesit të hartimit të ligjeve që vlerësohen të nevojshme për zgjidhjen e cështjeve me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës.

Në rrafshin politik, tha ai, do të punohet për krijimin e kushteve që viti 2005 të jetë periudhë e fillimit të debateve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Një nga kushtet themelore është përmbushja e tetë standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare.//ii

XS
SM
MD
LG