Lidhje

Xhaferri: solidariteti politik, i nevojshëm për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit - 2003-12-22


Në Maqedoni, katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit dhe Partia Bashkimi Demokratik për Integrim u takuan në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski për të diskutuar në lidhje me decentralizimin e pushtetit dhe krijimin e komunave të reja. Për të diskutuar më gjerë mbi këtë çështje, Zëri i Amerikës intervistoi Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili ishte i pranishëm në takim, si përfaqësues i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrimin.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, çfarë u arrit në takimin e sotëm?

Musa Xhaferri: Së pari dua të them, që për shkak të rëndësisë së veçantë që ka Marrëveshja e Ohrit për të gjithë vendin, kërkohet një solidaritet politik i cili mund të arrihet nëpërmjet konsultimeve të të gjitha subjekteve relevante politike, apo që janë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit dhe Bashkimit Demokratik për Integrimin, që është anëtare e koalicionit qeveritar dhe ka fituar votat në zgjedhjet e lira të vitit të kaluar. Me këtë rast u biseduan shumë tema, si deri ku ka arritur implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhe faza në të cilën ne gjindemi, që është shumë e rëndësishme propozim-ligjet për decentralizimin e pushtetit këtu në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: A pritet të arrihet në një lloj konsensusi lidhur me këto çështje?

Musa Xhaferri: Në fakt është e rëndësishme që solidariteti duhet të mos mungojë, për interesin e të gjithëve, për arësye se tashmë është bërë publike se Marrëveshja e Ohrit është një kusht për hapjen e perspektivave të Maqedonisë për integriminin euroatllantik dhe për ditë e më shumë, të gjithë po bëhen të vetëdijshëm, se pa kapërcimin e këtyre kërkesave dhe pa realizimin e këtyre ligjeve dhe obligimeve, nuk mund të kemi shanse për të ecur drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Zëri i Amerikës: Zoti Zëvendëskryeministër, ligjet mbi decentralizimin kanë të bëjnë me dhënien e më tepër kompetencave komunave, si dhe me ndryshimin e kufijve të tyre. Çfarë ndikimi do të kishin këto tek shqiptarët?

Musa Xhaferri: Në fakt, që kur është debatuar rreth Marrëveshjes së Ohrit, ajo që ka qenë e mundur në atë kohë politikisht që të realziohet apo të absorbohet, si kërkesat e shqiptarëve, është menduar se në nivelin lokal, në komuna, do të ketë hapësirë më të madhe dhe pikërisht, presim që të realizojmë këto objektiva politike, siç është edhe përdorimi i gjuhës dhe një autonomi eknomike, financiare dhe infrastrukturore, kulturore dhe të tjera.

Zëri i Amerikës: Çfarë çështjesh të tjera po disktutohen në takim?

Musa Xhaferri: Në fakt, të premten e ardhshme në orën 10, do të ketë takim të përfaqësuesve, apo të kryetarëve të partive politike-nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, për të biseduar lidhur me principet gjenerale, rreth decentralzimti dhe çështjeve të tjera të cilat janë në proces e sipër, akoma nuk janë realizuar në tërësi. Pastaj diskutimet do të zbresin në nivele teknike, në mes të përfaqësuesve të partive që janë në qeveri dhe partive opozitare, të cilat realisht duhet edhe të jenë të kyçura. Kjo për arsye se është në interes të të gjithë vendit që të plotësojmë këto kushte, këto standarte për interesat e brendshme të vendit tonë dhe për interesin e jashtëm, që për ne është një kusht për t’u ofruar, ose për t’i rritur shanset drejt integrimeve evropiane dhe euro-atllantike.

Zëri i Amerikës: Po për çështjen e Universitetit të Tetovës çfarë po bëhet? Parlamenti e ndërpreu debatin lidhur me të. Si do të procedohet lidhur me projekt-ligjin që ka të bëjë me të?

Musa Xhaferri: Në fakt, përderisa u krijua një situatë pa dalje e debateve maratonike, faktikisht, pa përmbajtje, vetëm për faktin se për të shfrytëzuar kohën deri në pafundësi, ne menduam se duhet bëjmë një ndërprerje, për të gjetur format që na nxjerrin nga kjo situatë. Qeveria është duke menduar intensivisht, që në mbledhjet e ardhshme të parlamentit të gjehen forma, apo rregulla konform standarteve demokratike, që cilat të çbllokojnë këto formalitete dhe të votojnë ligjin për institucionalizimin e Universitetit të Tetovës.

XS
SM
MD
LG