Lidhje

Ministri i Jashtëm i Egjypit sulmohet në Jeruzalem - 2003-12-22


Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Ahmed Maher u dërgua sot në një spital në Jeruzalem, pasi u sulmua nga një turmë palestinezësh në xhaminë Al-Aksa në pjesën e vjetër të qytetit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite tha se zoti Maher duket në gjendje të mirë pas sulmit, që ndodhi kur ai po lutej në xhaminë al-Aksa, një prej objekteve më të shenjta të fesë islame.

Dëshmitarët thonë se besimtarët filluan t’i bërtasin zotit Maher dhe u përpoqën ta sulmojnë. Ata thonë se ministri i jashtëm me sa duket humbi ndjenjat dhe rojet personale e rrethuan dhe e nxorën nga xhamia.

Një ambulancë izraelite i dha mjekimin e parë në skenën e ngjarjes, dhe më pas ai u dërgua në Spitalin Hadassah të Jeruzalemit.

Autoriteti palestinez e dënoi sulmin dhe tha se do të vihet në kërkim të personave të përfshirë në këtë incident.

Gjatë një takimi para këtij incidenti, kryeministri Ariel Sharon i tha zotit Maher se Izraeli do të respektojë armpushimin nëse grupet ekstremiste palestineze u japin fund sulmeve.

Një zyrtar izraelit citoi kryeministrin Sharon, sipas të cilit Izraeli nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje zyrtare me grupe ekstremiste por, siç theksoi zyrtari, “do t’i përgjigjet qetësisë me qetësi.”

Egjipti është përpjekur të nxisë grupet palestineze si Hamasi dhe Xhihadi Islamik të deklarojnë një armpushim të ri, por pa rezultat. Por zoti Maher u tha gazetarëve pas takimit të sotëm se është optimist për sukses në bisedimet ndërmjet Kairos dhe grupeve të ndryshme palestineze.

Ai e ftoi kryeministrin izraelit për një vizitë në Egjipt për t’u takuar me presidentin Hosni Mubarak. Dy udhëheqësit nuk janë takuar asnjëherë pas ardhjes në post të kryeministrit Sharon në vitin 2001.

//rd//

XS
SM
MD
LG