Lidhje

Kapja e Sadam Huseinit ka çuar në arrestimin e qindra irakianëve - 2003-12-22


Shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara, gjeneral Riçard Majers, tha se kapja e Sadam Huseinit ka çuar në arrestimin e disa qindra irakianëve, përfshirë disa udhëheqës të kryengritjes anti-amerikane.

Në një intervistë me rrjetin televiziv Fox, gjenerali Majers tha se kapja e Sadam Huseinit u ka dhënë forcave amerikane informacion që ka krijuar mundësitë për të kuptuar më mirë strukturën e qendresës.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane tha se ish udhëheqësi irakian nuk po bashkëpunon me hetuesit.

Ndërkohë, gazeta Nju Jork Tajms thotë se Sdam Huseini iu shmang arrestimit për muaj të tërë duke lëvizur nëpër 20 deri në 30 strehime në zemër të rajonit suni të vendit.

Në një zhvillim tjetër, Ministria irakiane e Naftës thotë se gueriljet kanë sulmuar dhe dëmtuar objekte në veri dhe në jug të Bagdadit duke keqësuar edhe më tepër gjendjen e rëndë të krijuar nga mungesa e karburantit.

Një zëdhënës i ministrisë së naftës tha dje se kryengritësit goditën me raketa cisterna nafte në jug të kryeqytetit dhe aktivizuan një bombë, e cila dëmtoi një naftësjellës në rajonin Mashada në veri.

Zjarret dhe rrjedhja e naftës, e shkaktuar nga sulmet, bënë që të humbisnin rreth 10 milionë litra benzinë. Sulmet kundër objekteve të naftës kanë vështirësuar përpjekjet e zyrtarëve amerikanë dhe irakianë për të rindërtuar industrinë e naftës së Irakut.

Mungesat kanë bërë që të shtohen radhët në pikat e benzinës dhe i detyruan zyrtarët javën e kaluar të vënë në zbatim sistemin e racionimit të karburantit. //az//

XS
SM
MD
LG