Lidhje

Ndryshime në qeverinë Nano - 2003-12-24


Nga 19 portofole ministrore, 12 prej tyre do të mbahen nga emra të rinj. Kryeministri Nano ka kryer ndryshime të thella në kabinetin e tij. 10 nga propozimet e tij janë emra të rinj dhe vetëm dy nga ministrat aktuale kanë ndryshuar postet.

Sipas skemës që zoti Nano paraqiti sot në kryesinë dhe grupin parlamentar të partisë socialiste, numri dy i qeverisë do të jetë zoti Namik Dokle. Vendi vakant i ministrit të Rendit është zënë nga Igli Toska, i cili që prej më shumë se një muaji e drejton këtë dikaster si zëvendësministër. Zoti Toska ra në sy vecanërisht për masat e rrepta që ai ndërmori ndaj shumë drejtuesve të lartë të policisë të cilët u shkarkuan nën akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Në krye të diplomacisë do të jetë zoti Kastriot Islami i cili lë kështu ministrinë e Financave. Ky post kishte mbetur bosh që prej muajit korrik, pas dorëheqjes së zotit Ilir Meta, rival i vjetër i zotit Nano, i cili falë mbështetjes së një grupi deputetësh socialist mundi të bllokonte për dy herë me radhë emërimin e ministrit të jashtëm në parlament.

Lufta e ashpër mes dy figurave të partisë socialiste provokoi një krizë të thellë në qeveri dhe brenda partisë socialiste. Por kryeministri arriti të mund thellë zotin Meta në Kongresin e partisë, ku ai u rikonfirmua si kryetar me 2 të tretat e votave të delegatëve. Zoti Meta dhe një pjesë e mbështetesve të tij nuk arritën të zgjidhen as në strukturat drejtuese të partisë, ndërsa disa prej ndjekësve të tij, u rreshtuan në momentin e fundit në krah të kyreministrit. Falë kësaj lëvizje Anasatas Angjeli dhe Bashkim Fino u përfshinë në listën e ministrave të rinj të propozuar sot nga zoti Nano. I pari në ministrinë e ekonomisë dhe i dyti në atë të Turizmit dhe Rregullimit të Territorit.

Në postet e tjera ministrore janë propozuar zoti Fatmir Xhafa në Drejtësi, Ethem Ruka për Mjedisin, Marko Bello si ministër Shteti, ndërsa zoti Arben Malaj merr drejtimin e Financave. Aleatët e partisë socialiste morën nga një post: partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut ministrinë e Shëndetësisë me Leonard Solisin dhe socialdemokratët, ministrinë e Punëve sociale me Engjell Bejtjan. Ende i pazgjidhur ministri i kulturës, pasi zoti Petro Koci refuzoi të merrete përsipër këtë detyrë.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar kryeministri Nano shkoi në një takim me kreun e shtetit Alfred Moisiu për të diskutuar në parim rreth kandida turave por edhe për procedurat që do të ndiqen për dekretimin e tyre. Zoti Nano kërkon që pas dekretimit ministrat e rinj të bëjnë betimin dhe të nisin detyrën, e më pas të presin miratimin nga parlamenti. Një lëvizje e cila synon të shmang mbetjen bosh të ndonjë ministrie në rast të rrëzimit të kandidaturës në parlament.

//rd//

XS
SM
MD
LG