Lidhje

Tërmet në Iran: të paktën 5 mijë të vdekur - 2003-12-26


Sipas njoftimeve, të paktën 5 mijë vetë kanë vdekur nga tërmeti që tronditi sot qytetin e lashtë Bam në Iranin juglindor.

Televizioni iranian tha se 30 mijë veta u plagosën nga tërmeti, i cili goditi qytetin në orët e para të ditës, kur pjesa më e madhe e qytetarëve po flinin.

Zyrtarët thonë se afro 2 të tretat e ndërtesave në qytet janë shembur, duke zënë nën rrënoja shumë prej banorëve.

Dëshmitarët thonë se tërmeti shkatërroi edhe kështjellën hisotirke të qytetit, disa pjesë të së cilës ishin 2-mijë vjeçare.

Banorët vendas po ankohen se qeveria nuk ka sjellë një sasi të mjaftueshme tendash, uji dhe ushqimi.

Irani ka kërkuar nga vende të tjera batanije, ilaçe si dhe qen për të ndihmuar në gjetjen e trupave të viktimave.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se Washingtoni po ofron ndihmë, hëllësitë e së cilës priten së shpejti.

Shumë vende evropiane janë zotuar të dërgojnë ekipe shpëtimi si dhe ndihma humanitare.

Qyteti Bam është një destinacion i njohur turistik, rreth 1 mijë kilometra në juglindje të kryeqytetit të vendit, Teheran.

Shumë prej ndërtesave ishin ndërtime me tulla balte, dhe kashtë. Irani thotë se tërmeti i sotëm kishte një fuqi prej 6 presje 3 ballësh sipas shkallës Rihter, por Instituti Gjeologjik Amerikan e vlerësoi si një goditje prej 6 presje 7 ballësh.

//rd//

XS
SM
MD
LG