Lidhje

Presidenti Bush po përfiton prej lajmeve pozitive nga Iraku dhe ekonomia në vend - 2003-12-27


Në sondazhin e ri, mbështetja e përgjithshëm për presidentin është 59 për qind, shifra më e lartë që nga muaji gusht. Shihet qartë se mbështetja për Presdientin Bush po rritet për shkak të përmirësimit të ekonomisë amerikane dhe kapjes kohëve të fundit të Sadam Huseinit.

Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një betejë të ashpër elektorale, por zyrtarët dhe presidenti po përpiqen të qendrojnë mbi drivalitetet politike.

”Do të zhvillojmë fushatë për zgjedhjet dhe do të ketë mjaft kohë për të bërë politikë. Unë do të merrem me detyrën time si president që ta bëj këtë vend më të sigurtë dhe besoj se po bëjmë përparime të konsiderueshme drejt këtij objektivi”.

I njëjti sondazh sjell lajme të mira edhe për ish-guvernatorin e shtetit Vermont, Howard Dean, kandidati më i fuqishëm në gjirin e demokratëve. Sondazhi zbuloi se 31 për qind e personave të anëtarësuar në Partinë Demokrate që u pyetën, mbështesin zotin Dean, shifër më e lartë kjo në krahasim me 20 për qind në fillim të dhjetorit.

Megjithë kapjen e Sadam Huseinit, zoti Dean vazhdon të ngulë këmbë se lufta në Irak ishte një shmangie e panevojshme nga lufta kundër terrorizmit.

”Kjo do të thotë se vendit i duhet një president tjetër. Presidenti aktual nuk do të ndreqë kurrë dëmin që i bëri udhëheqjes morale të këtij vendi, për shkak se nuk është i aftë ta bëjë atë. Ai i merr personalisht ndryshimet në qendrime dhe ky është gabim fatal kur je në krye të një strukture, qoftë biznes, shtet apo në krye të një vendi të tërë”.

Mirëpo, po i njëjti sondazh sjell gjithashtu lajme jo fort të mira për fushatën e zotit Dean. Të pyeturit preferojnë presidentin Bush ndaj ish-guvernatorit të Vermontit 55 me 37 për qind.

Shumica e analistëve politikë thonë se do të jetë e vështirë për cilindo kandidat demokrat të mundë Presidentin Bush, po qe se gjendja e ekonomisë dhe ajo në Irak përmirësohen.

Presidenti Bush nuk ka kundërshtarë brenda partisë dhe do të shpallet zyrtarisht kandidati republikan për president shtatorin e ardhshëm në kuvendin e partisë së tij në New York.

Demokratët fillojnë procesin e zgjedhjes së kandidatin e tyre nga 9 konkurrentë më 19 janar në shtetin e Ajovës, proces i cili do të zgjasë deri në qershor.

Ata do ta shpallin kandidatin e tyre nga fundi i korrikut në kuvendin e Partisë Demokratike në Boston.

//ze//

XS
SM
MD
LG