Lidhje

Udhëheqësi suprem i Iranit Kamenei zotohet të rindërtojë qytetin e shkatërruar të Bamit - 2003-12-28


Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, u zotua të rindërtojë qytetin e shkatërruar të Bamit, ndërkohë që numri i konfirmuar i vdekjeve nga tërmeti i fuqishëm i së premtes arriti në 25 mijë.

Ajatollahu Khamenei shkoi dje për vizitë në qytetin fortesë për të parë nga afër shkatërrimet dhe u shprehu ngushëllime personave që shpëtuan gjallë. Presidenti iranian, Muhamed Katami, zyrtari më i lartë i zgjedhur i vendit, vizitoi gjithashtu qytetit veças.

Tërmeti i së premtes, i cili rafshoi pjesën më të madhe të qytetit 2 mijë vjeçar Bam, kishte një magnitudë prej 6 presje 3 ballë sipas shkallës së Rihterit. Më shumë se 2 mijë veta u nxorën të gjallë nga rënojat, të shtunën dhe të dielën.

Por përpjekjet e shpëtimit po pakësohen, ndërkohë që ekipet e kërkimit kanë pak shpresë që të gjejnë persona të tjerë të gjallë. Zyrtarët thonë se numri i viktimave mund t’i kalojë të 30 mijët.

Në Iran kanë mbrritur ndihma ndërkombëtare nga shumë vende. Vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik u takuan dje në Arabinë Saudite për të diskutuar rreth mënyrave për të ndihmuar viktimat e tërmetit. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, ministri kuvajtian i financave tha se këshilli prej 6 vendesh ra dakord të dërgojë në Iran 400 milion dollarë ndihma.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të dërgojnë 68 tonelata me furnizime mjeksore, ushqimoe dhe ujë të pijshëm. Një aeroplan transporti i forcave ajrore, aeroplani i parë amerikan që ulet në Iran që nga viti 1981, transportoi ngarkesën e parë me 9 tonelata të dielën.

Washingtoni ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 1980, disa muaj pasi studentë iranianë hynë në ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng diplomatë amerikanë. Irani është ende në listën e Shteteve të Bashuara të vendeve që mbështesin terrorizmin.

//ze//

XS
SM
MD
LG