Lidhje

Serbi: Ultranacionalistët fitojnë më shumë vota - 2003-12-29


Ultranacionalistët fituan numrin më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare të së djelës në Serbi, por jo sa të marrin nën kontroll organin legjislativ.

Grupi i pavarur Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci parashikon që Partia Radikale Serbe të ketë fituar afër 28 përqind të votave. Ka shumë mundësi që ajo do të jetë partia më e fuqishme në parlamentin prej 250 anëtarësh.

Megjithatë, sipas Qendrës, tri parti që mbështesin proceset demokratike do të fitojnë vota të mjaftueshme sa për të bllokuar çdo mundësi për krijimin e një koalicioni nga ultranacionalistët.

Udhëheqësi i Partisë Radikale, Vojisllav Sheshel, ndodhet akutualisht në Hagë, ku pret të gjykohet nën akuza për krime lufte. Edhe kandidati i Partisë Socialiste, ish-presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç, fitoi një vend në parlament, me të paktën 5 përqind të votave. Nuk është e qartë se kush do ta zërë vendin e zotit Millosheviç në parlament, pasi aktualisht ai po gjykohet në Hagë.

Në zgjedhje morën pjesë 59 përqind e qytetarëve me të drejtë vote, pjesëmarrja më e madhe në zgjedhje serbe që nga viti 2000.

Nacionalistët zhvilluan fushatë duke u thënë votuesve se përpjekjet për reforma po u kushtojnë atyre vende pune. Ata kanë premtuar madje edhe të ndalin bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës për Krime Lufte.

Zyrtarë evropianë dhe amerikanë e kanë paralajmëruar Serbinë se një qeveri nacionaliste do ta izolonte atë dhe do të dëmtonte rëndë mundësitë e saj për anëtarësim në Nato e Bashkimin Evropian. //az//

XS
SM
MD
LG