Lidhje

Shqipëri: parlamenti miraton ndryshimet në qeveri - 2003-12-29


Parlamenti miratoi me shumicë dërrmuese votash ndryshimet në kabinetin e kryeministrit Fatos Nano. Partia Demokratike e opozitës nuk mori pjesë në votime në shenjë proteste. Sipas kryetarit të saj Sali Berisha ministrat e rinj përfaqësojnë lidhje me korrupsionin dhe me krimin.

Ndryshimet në kabinetin e kryeministrit Fatos Nano kaluan të hënën në mbrëmje në parlament, pothuajse pa asnjë problem. Zoti Nano pati mbështetjen e gjerë të partive të krahut të majtë dhe të qendrës me të cilat Partia Socialiste ka arritur marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje. Të gjithë ndryshimet në kabinet, të propozuara nga zoti Nano kaluan me një shumicë absolute votash, duke e lënë opozitën pothuajse të pafuqishme për të bërë të mundur ndonjë ndryshim. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi kabinetin e ri si kabinetin më të korruptuar dhe miratimin e tij si një ngjarje të zezë në historinë e shoqërisë shqiptare. Zoti Berisha tha se kryeministri ka mbledhur në qeverinë e tij përfaqësuesit e krimit ekonomik dhe të trafiqeve. Ai e cilësoi seancën parlamentare si ditën e turpit dhe të papërgjegjshmërisë. Opozita u tërhoq në momentin e votimit edhe për shkak të procedurave të votimit.

Zoti Nano, me mbështetjen e marrë nga parlamenti, forcoi edhe më tej pozitat e tij në parlament dhe brenda grupit të tij parlamentar. Grupi i deputetëve, i kryesuar nga zoti Ilir Meta, i cili dy herë radhazi arritën të bllokonin zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh në kabinet, tani është shndërruar në një pakicë të parrezikshme për kryeministrin. Rezultat që zoti Nano mori në Kongres, që i dhanë mundësi të lërë jashtë strukturave të partisë kundërshtarët e tij, bënë që një pjesë e mbështetësve të zotit Meta të dalin në favor të zotit Nano. Dy prej tyre edhe u shpërblyen për këtë qëndrim, siç ishte zoti Angleli dhe zoti Fino, të cilët deri pak javë më parë ishin kundër zotit Nano dhe kishin votuar edhe kundër plotësimit të vendeve në qeverinë e tij.

Pikërisht prania e këtyre dy emrave në listën e anëtarëve të rinj të Prania e këtyre dy emrave në listën e anëtarëve të rinj të qeverisë shkaktoi edhe polemika të shumta. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përmendi akuzat e ndërsjellta që zoti Nano kishte shkëmbyer me dy prej anëtarëve të rinj të kabinetit të ri. Me këtë rast zoti Berisha kritikoi ashpër edhe presidentin e Republikës, pasi javën e kaluar presidenti deklaroi se në listat e qeverisë nuk duhet të përfshiheshin njerëzit e përfolur dhe të akuzuar nga krerët e ekzekutimit, ndërkohë që sot bëri dekretimin e tyre, megjithëse u shpreh se rezervat ndaj disa prej ministrave ia kishte bërë të ditura edhe kryeministrit. Megjithatë presidenti deklaroi se i jepte përparësi ligjit dhe kushtetueshmërisë.

//ad//

XS
SM
MD
LG