Lidhje

Shtetet e Bashkuara shfaqën shpresë për vazhdimin e reformave demokratike në Sërbi - 2003-12-30


Partia ultranacionaliste Radikale Sërbe fitoi shumicën e vendeve të parlamentit, ndërkohë që fitore të ndjeshme korri edhe Partia Socialiste e Sërbisë e ish presidentit Sllobodan Millosheviç, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.

Por zyrtarët amerikanë thanë se numri i votave totale për partitë reformiste ishte më i madh se sa numri i votave të siguruara nga nacionalistët, prandaj zyrtarët amerikanë po shprehen se presin që demokratët e angazhuar për vazhdimin e reformave dhe integrimin me pjesën tjetër të Evropës do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë.

Në një takim me gazetarët, zëdhënësi i departamentit të shtetit Adam Ereli përshëndeti popullin sërb për zgjedhjet, të cilat tha ai, u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe se ishin të drejta dhe të lira. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje që partitë, të cilat do të përfaqësohen në parlamentin e ri, të arrijnë një koncensus dhe të formojnë së shpejti qeverinë me qëllim që të vazhdojë procesi i reformave i filluar me zgjedhjet presidenciale të vitit 2000.

Zëdhënësi Ereli tha se përfaqësuesit e partive të angazhuara në procesin e kalimit në demokraci u mbështetën nga më shumë se 60 përqind e elektoratit sërb, ndërkohë që partitë nacionaliste fituan vetëm një të tretën e votave. Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit theksoi se si rezultat ka të ngjarë që çdo qeveri e ardhshme do të përbëhet nga shumica demokratike.

“Ne me siguri që presim që këto parti, të cilat përfaqësojnë idealet dhe standartet demokratike, të vazhdojnë procesin e reformave ekonomike, juridike dhe ushtarake si dhe të mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes së Daytonit. Ato duhet të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi, si dhe të arrestojnë Ratko Mlladiçin dhe ta dorëzojnë atë në Hagë për t’u gjykuar. Këto parti duhet të mbajnë marrëdhënie të mira me vendet fqinje, gjë që do të bëjë të mundur për Sërbinë dhe Malin e Zi që të sigurojnë anëtarsi të plotë në institucionet Euro-Atlantike.”

Ratko Malladiç, ish komandant i ushtrisë sërbe të Bosnjes, është një prej figurave më famëkeqe të krimeve të luftës, që vazhdon t’u shpëtojë autoriteteve të drejtësisë, së bashku me ish presidentin e Republikës Sërbe të Bosnjes, Radovan Karaxhiç.

Duke u ndodhur para pyetjes së një gazetari, zëdhënësi Ereli hodhi poshtë faktin se Sllobodan Millosheviçi kishte fituar një vend në parlamentin e ri të Sërbisë, duke thënë se përkundrazi ish udhëehqësi jugosllav, i cili po gjykohet nën akuzat për gjenocid dhe akuza të tjera, është plotësisht i angazhuar në Hagë.

//ze//

XS
SM
MD
LG