Lidhje

Powell: SHBA e hapur ndaj rifillimit të dialogut me Teheranin - 2003-12-30


Shtetet e Bashkuara thanë dje se janë gati të fillojnë një dialog politik me Iranin, por shtuan se një zhvillim i tillë do të varet nga fakti që Irani t’i japë fund mbështetjes së terrorizmit dhe të zbatojë detyrimet ndërkombëtare lidhur me armët bërthamore.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur kontakte gjatë ditëve të fundit si rezultat i ndihmave që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për viktimat e tërmetit në qytetin Bam të Iranit.

Oferta për bisedime me Teheranin u bë nga sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, i cili i tha gazetës The Washington Post se hapat "inkurajuese" të Iranit kanë krijuar mundësinë e fillimit të dialogut mes dy vendeve, të cilat nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që prej vitit 1980.

Por sekretari Powell theksoi se Shtetet e Bashkuara, mes të tjerash, vazhdojnë të kenë shqetësime rreth mbështetjes nga Teherani të terrorizmit. Madje zëdhënësi i departamentit të shtetit Adam Ereli e bëri më se të qartë se mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk mund të ketë përmirësim marrëdhëniesh në se ky i fundit nuk mer masa konkrete për të zgjidhur këto çështje.

“Ajo që është me rëndësi janë veprimet. Ajo që është me rëndësi janë kthimi i fjalëve në vepra. Me rëndësi është përmbushja e angazhimeve ndërkombëtare. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne presim prej Iranit, përmbushja e angazhimeve ndërkombëtre për sa i përket armëve të shkatërrimit në masë dhe ndalimit të mbështetjes për terroristët."

Zyrtarët amerikanë e akuzojnë Iranin për mbështetjen e grupeve që kundërshtojnë përpjekjet e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve dhe ndoshta për strehimin e udhëheqësive kryesorë të Al-Kaidës.

//ze//

XS
SM
MD
LG