Lidhje

Sfidat kryesore që e karakterizuan vitin 2003 në Kosovë - 2004-01-01


Fillimi i kalimit të më shumë përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore, procesi i privatizimit, ndërrimi i administratorëve të Kombeve të Bashkuara dhe projekti i përmbushjes së standardeve, janë disa nga sfidat kryesore me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit që e lamë pas.

Fillimi i vitit 2003, sikurse edhe ky që sapo filloi, ishte vlerësuar me rëndësi të madhe për Kosovën nga udhëheqëst më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.

Janari filloi me disa vrasje të pasqaruara të cilat të tilla kanë mbetur edhe sot e kësaj dite. Muajt e parë shënuan edhe arrestimet e para të shqiptarëve nën akuzat për krime lufte.

Tre pjestarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëtuan për në Hagë, ku ndodhen në pritje të fillimit të procesit gjyqësor.

Pranvera solli me vete sihariqin e fillimit të procesit të privatizimit, që deri në fund të vitit rrumbullakësoi shitjen e 24 ndërmarrjeve shoqërore dhe u përshkua me përplasje të mëdha ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe atyre vendore, për shkak të mospajtimeve rreth mënyrës së zbatimit të këtij procesi.

Një incident në veriun e Kosovës ku një shpërthim shkatërroi një urë hekurudhore, bëri që organizata që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare, të shpallet si “organizatë terroriste” nga ana e shefit të atëhershëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner.

Vdekja e një pjestari të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në këtë incident, krijoi një gjendje jo shumë të këndëshme në marrëdhëniet e institucioneve ndërkombëtare me këto trupa.

Zoti Steiner i cili tashmë ndodhej në fund të mandatit të tij, fundin e pranverës ia kushtoi në tërësi pjesmarrjes së udhëheqësve politikë të Kosovës në takimin e Bashkimit Evropian në Selanik të Greqisë, në muajin qershor, ku shpresonte të vendosë fillet e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhejn e çështjeve teknike të interesit të përbashkët.

Por, takimi solli vetëm zotimet e përfaqësuesve të të dyja palëve për këto bisedime, zotim ky që zoti Steiner, i la si trashëgim pasardhësit të tij, Harri Holkeri.

Diplomati finlandez, menjëherë pas arritjes në Kosovë, filloi veprimtaritë e ngjeshura për të ulur në tryezë Prishtinën e Beogradin dhe këtë e arriti në muajin tetor, ndonëse me delegacione të shkurtuara të të dyja palëve. Takimi që u mbajt në Vjenë, megjithatë nuk shënoi fillimin e bisedimeve të cilat ende nuk kanë shënuar ndonjë përparim.

Ngjarja më e rëndësishme politike në Kosovë është vlerësuar, ndërkaq vizita e nënsekretarit amerikan të shtetit Marc Grossman në muajin nëntor, pas së cilës, filloi procesi i konkretizimit të standardeve për Kosovën.

Zoti Grosman, vuri në lëvizje këtë proces, duke paralajmërur se viti 2005, mund të jetë fillim i debateve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Projekti i standardeve u publikua në muajin dhjetor, ndërsa janari i këtij viti pritet të jetë fillim I vlerësimit të përmbushjes së tyre.

Viti që lamë pas, u shqua edhe më disa vizita të tjera të rëndësishme sic ishte ajo e ish presidentit amerikan Bill Clinton, ndërsa ndër ngjarjet më të mëdha u cilësua ajo e lumnimit të humanistes shqiptare Nëna Tereze.

Siguria në Kosovë shënoi një shkallë të përmirësimit, megjithë disa akte të dhunës.

Forcat paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja shkurtuan praninë e tyre dhe aktualisht mbi 19 mijë trupa kujdesen për sigurinë në Kosovë, krahas rreth 10 mijë pjestarëve të policisë ndërkombëtare dhe asaj të Kosovës.

Qeveria ka marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë që nuk kanë të bëjnë me të drejtat e rezervuara për Misionin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa gjatë këtij viti shpreson të përfshihet edhe në cështjet e sigurisë, mbrojtjes e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe në gjendjen e pakicave kombëtare. //ss//

XS
SM
MD
LG