Lidhje

Katër amerikanë të shquar që vdiqën gjatë vitit 2003 - 2004-01-02


Në materialin në vazhdim ju njohim me katër amerikanë të shquar që vdiqën gjatë vitit të kaluar, ndër ta një politikan që ka patur ndikim të madh në politikat sociale të Shteteve të Bashkuara, si dhe një aktore, filmat e së cilës janë transmetuar për një gjysmë shekulli në pesë kontinentet e botës.

Daniel Patrick Moynihan

Ish-senatori nga shteti New York, Daniel Patrick Moynihan ishte i angazhuar në politikë për më se gjysmën e jetës së tij 76-vjeçare. Gjatë këtyre viteve ai fitoi dashurinë dhe respektin e anëtarëve Kongresit, si demokratë ashtu edhe republikanë. Ata e kujtojnë senatorin si një udhëheqës në politikat shtetërore dhe si një orator të shkëlqyer.

Demokrati Pat Moynihan ishte i zgjedhur në Senat nga viti 1977 deri më 2001. Më parë ai kishte punuar për katër presidentë, midis tyre John Kennedy dhe Richard Nixon. Ai ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Indi dhe më pas në Kombet e Bashkuara. Ai ka punuar edhe si pedagog në Universitetin Harvard dhe ka shkruar 8 libra.

Një shkrim i zotit Moynihan në vitin 1965 u bë burim polemikash të mëdha dhe shumë veta e kritikuan atë për tone raciste. Shkrimi ishte një raport për Departamentin e Punës, në të cilin zoti Moynihan argumentonte se programet e ndihmës sociale po i shkatërronin familjet zezake. Thelbi i argumentit ishte se ligji i të drejtave civile nuk garantonte të drejta të barabarta. Zoti Moynihan shkruante se qeveria duhet të krijonte programe arsimimi dhe punësimi që të ndihmonin familjen zezake të shkatërruar nga skllavëria.

Ekspertët sot thonë se ndikimi i senatorit Moynihan mund të shihet në çdo politikë të rëndësishme sociale të 50 viteve të fundit. Almanaku i Politikës Amerikane e cilëson atë si mendimtarin më të madh ndër politikanët që pas Abraham Linkolnit, dhe politikanin më të madh ndër mendimtarët që pas presidentit Thomas Jefferson.

Benny Carter

Saksofonisti dhe kompozitori i muzikës Blues, Benny Carter, vdiq korrikun e kaluar në Los Anxhelos në moshën 95-vjeçare. Ai njihej si saksofonist i famshëm, por mund të luante edhe pianon dhe trumpetën. Në moshë të re, Carter punonte në Londër, ku kishte krijuar një grup muzikor të përbërë nga artistë të racave dhe kombësive të ndryshme, diçka e pazakontë për atë periudhë. Kur u kthye në Shtetet e Bashkuara ai filloi të kompozonte muzikë fimash.

Benny Carter konsiderohet si muzikanti që zhvilloi stilin swing me orkestër të zgjeruar për muzikën xhaz.

Althea Gibson

Amerika humbi në vitin 2003 një atlete të mirënjohur. Althea Gibson theu ndarjet raciale në tenis dhe golf. Në vitin 1950 ajo u bë e para atlete zezake që konkuronte në kampionatin amerikan të tenisit dhe një vit më vonë në kampionatin e Wimbledonit në Angli. Ajo fitoi në të dy këto kampionate.

Agjencia e lajmeve Associated Press e zgjodhi Althea Gibson si Atleten më të mirë të vitit si më 1958 ashtu edhe më 1959. Ajo ishte zezakja e parë që e mori këtë titull.

Althea e cilësonte veten si atlete e lindur. Ajo ishte zezakja e parë që merrte pjesë në kampionatin e golfit për femra. Megjithëse nuk fitoi ndonjëherë, ajo mori pjesë në afro 200 konkurime në kuadër të këtij kampionati. Pas vdekjes së saj yjet e tenisit për femra e nderuan atleten për shembullin që u kishte dhënë vajzave të angazhuara në sport.

Katherine Hepburn

Një ndër yjet më të shquar të Hollivudit vdiq këtë vit duke i dhënë fund një karriere 60 vjeçare në filma. Katherine Hepburn vdiq në moshën 96 vjeçare, pasi kishte luajtur në më shumë se 50 filma, kishte marrë numrin më të madh të çmimeve Oskar në kategorinë e Aktores më të Mirë si dhe kishte konkuruar dy herë për çmimin Tony për rolet e saj në teatër.

Katherine Hepburn është cilësuar si Zonja e Parë e Kinematografisë. Ajo ka luajtur një numër rolesh në filma tashmë klasikë për artdashësit kudo në botë, si “Fatura e Divorcit,” “Lavdia e Mëngjesit,” “Mbretëresha afrikane.”

Pas vdekjes së saj, aktorja Elizabeth Taylor bëri një deklaratë ku thoshte se çdo aktere në botë shpreson të jetë si Katherine Hepburn.//ii

XS
SM
MD
LG