Lidhje

Sfidat e Shqipërisë për vitin 2004 - 2004-01-02


Shqipëria synon që gjatë vitit 2004 të mbyllë bisedimet për marrëveshjen e asocim stabilizimit me Bashkimin Evropian.

Këto bisedime u hapën një vit më parë dhe qeveria shqiptare u angazhua t’i përfundonte ato brenda 2003-shit duke shpresuar në mbështetjen e Italisë e cila 6 muajt e fundit pati kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian.

Por probleme të brendshme dhe kriza qeveritare e ngadalësuan këtë proces. Tashmë ai është vënë si përparësi e kabinetit të rinovuar të kryeministrit Nano, qeveria e të cilit mban emrin koalicioni për integrim.

Këtë herë, autoritetet shqiptare nuk japin asnjë afat se kur do të mund të mbyllen bisedimet.

Shqipërisë i duhet të kryejë një sërë reformash të cilat do të përcaktojnë ndjeshëm edhe të ardhmen e saj ekonomike. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave është një nga detyrimet e hershme që Shqipëria duhet të përmbushë.

Ky ligj, i hartuar me ndërmjetësinë e OSBE-së pritet të miratohet shumë shpejt nga parlamenti pasi tashmë ka kapërcyer të gjitha hallkat proceduriale. Një tjetër sfidë e rëndësishme për qeverinë shqiptare do të jetë lufta kundër krimit të organizuar.

Shqipëria, ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit vazhdon të mbetet problematike në raportet ndërkombëtare për nivelin e lartë të kriminalitetit.

Pas suksesit të arritur në bllokimin e trafikut të emigrantëve të paligjshëm drejt Italisë, kryeministri Fatos Nano ka kërkuar që gjatë këtij viti të mbyllen të gjitha rrugët e trafikut të drogës dhe të eliminohen grupet kriminale në vend.

Për herë të parë këtë vit, nis nga funksionimi edhe gjykata e krimeve të rënda.//ii

XS
SM
MD
LG