Lidhje

Presidenti Bush: ligji për arsimin po sjell më shumë fëmijë në rrugën e suksesit si në shkollë ashtu edhe në jetë - 2004-01-03


Presidenti Bush tha se ligji për arsimin që ai nënshkroi dy vjet më parë po sjell më shumë fëmijë në rrugën e suksesit si në shkollë ashtu edhe në jetë.

Presidenti mbajti sot fjalimin e tij të përjavshëm në radio, ku mbrojti ligjin për arsimin nga kritikët, duke thënë se rezultatet tregojnë që studentët amerikanë po shënojnë përparim në matematikë dhe lexim. Arsimi pritet të jetë një çështje e rëndësishme e politikës së brendshme në fushatën zgjedhore presidenciale këtë vit.

Demokratët në Kongres e kanë kritikuar programin e presidentit Bush, duke thënë se administrata nuk po shpenzon fonde të mjaftueshme për arsimin. Kritikët kanë kundërshtuar edhe rregullat për të gjykuar të gjithë studentët me të njëjtat standarte, pavarësisht nga rrethanat individuale.

Presidenti tha se ndryshimet kanë ndihmuar më shumë fëmijë të futen në rrugën e suksesit në shkollë dhe në jetë.

"Presim nga shkollat që të përmbushin detyrën e tyre dhe po i ndihmojmë në këtë drejtim. Prandaj dështimi është i pajustifikueshëm. Kur vendosim standarte të larta, ne tregojmë bindjen tonë në aftësitë e çdo fëmije".

Reformat dy vjeçare kërkojnë nga shtetet që të mbajnë përgjegjëse çdo shkollë publike për arritjet e nxënësve. Nëse rezultatet e testeve nuk janë të kënaqshme, plani i lejon prindërit ta heqin fëmijën nga ajo shkollë dhe ta regjistrojnë në një shkollë më të mirë dhe ofron ndihmë financiare për kosultime.

Kritikët thonë se plani u kushton vëmendje të madhe testeve të standartizuara dhe jo aq shumë nevojave individuale. Ende nuk ka fonde të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat për konsultime dhe ndërrimi i shkollës shpesh varet nga aftësia e shkollave më të mira për të pranuar nxënës të rinj.

Ka të ngjarë që arsimi dhe kujdesi shëndetësor të jenë dy çështjet kryesore të politikës së brendshme në fushatën e presidentit Bush për t’u rizgjedhur. Javën e ardhshme ai do të diskutojë mbi arsimin dhe do të grumbullojë fonde shtesë në Mizuri dhe Tenesi.

//ze//

XS
SM
MD
LG