Lidhje

Banka e Shqipërisë shpreh optimizëm për kontrollin e inflacionit dhe rritjen e kredive - 2004-01-03


Banka Qendrore deklaroi se për këtë vit do të punojë për një inflacion të kontrolluar rreth 3%. Kjo shifër vlerësohet si një nga treguesit më të mirë të ekonomisë shqiptare. Në Dokumentin e Politikës Monetare për vitin 2004, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, theksohet se mbajtja e inflacionit në kufijtë minimalë pozitivë do të sigurojë qëndrueshmërinë e tregjeve dhe do të mbështesë rritjen ekonomike.

Banka vëren madje se inflacioni i kontrolluar në këto nivele është edhe një objektiv i një strategjie afatmesme. Përvec festave, tregjet kanë patur çmime të qëndrueshme, ç’ka lehtëson kujdesin ndaj inflacionit.

Kreditimi dhe shërbimet e tjera bankare kanë patur një përmirësim jo të vogël. Banka Qendrore vlerësoi se gjatë vitit 2003 kreditë bankare janë rritur 15% nga një vit më parë, ndërsa gjatë vitit 2004 parashikohet një shtim i konsiderueshëm i kësaj veprimtarie.

Në sistemin bankar konkurrenca është rritur dhe këto tregues do ta zhvillojnë atë më shumë. Qeveria miratoi në ditët e fundit të dhjetorit privatizimin e Bankës së Kursimeve. Ajo është edhe banka më e madhe në Shqipëri, me degë në çdo qytet të Shqipërisë dhe me një pozicion mbizotërues në treg, madje edhe me shërbime-monopol. Banka iu shit me ankand ndërkombëtar bankës austriake Reifeisen, gjë qëpërbën një nga ngjarjet më të mëdha në ekonominë e vendit dhe në sistemin bankar.

Vlerësohet se Banka e Kursimeve do të çlirojë pas pak muajsh për t’i dhënë në formë kredish më shumë se gjysmën e fondeve të kursimit të grumbulluara nga qytetarët. Kjo veprimtari ishte reduktuar në maksimum nga qeveria që nga viti 1997 me shembjen e skemave piramidale. Rifillimi i kredive nga Banka e Kursimeve pritet të nxitë zhvillimin e ekonomisë dhe bizneseve private, si dhe të jetës së qytetarëve me kredi familjare. //az//

XS
SM
MD
LG