Lidhje

”Spirit” dërgon në Tokë pamjet e para nga Marsi - 2004-01-04


Një eksplorues robotik i hapësirës dërgoi në Tokë imazhet e para nga planeti Mars, ku shkencëtarë amerikanë po kërkojnë për shenja uji. Sonda amerikane planetare ”Spirit” bëri të djelën një ulje të përsosur, siç e cilëson agjencia amerikane e hapësirës, në sipërfaqen e Marsit.

Nasa transmetoi fotografi bardhezi të Sondës ”Spirit” përbri një shkëmbi të madh në sipërfaqen e thatë të planetit të kuq. Një zyrtar i lartë i Nasës tha se të dhënat dhe fotografitë arritën në Tokë nëpërmjet rrjetit të parë të komunikimit ndërplanetar në historinë njerëzore. Agjencia e hapësirës thotë se parashikon të marrë të djelën në darkë duke u gdhirë e hëna imazhe me ngjyra të mjedisit përreth sondës ”Spirit”.

Sonda ”Spirit” është e para nga dy eksplorueset që do të enden për 90 ditë në sipërfaqen e Marsit duke kërkuar për shenja uji, një nga elementet kryesore të domosdoshëm për jetën. Megjithëse aktualisht planeti i kuq është i thatë dhe i ftohtë, shkencëtarët mendojnë se lyshtrat në gurët e tij mund të ndihmojnë në përcaktimin e periudhës, kur Marsi mund të ketë qenë i ngohtë e të ketë pasur ujë, pra të ketë pasur kushtet e domodoshme për jetën.

Eksploruesja tjetër amerikane, ”Oportunity”, është në plan të ulet pas tri javësh në anën tjetër të Marsit. Sondat ”Spirit”, e cila peshon afro 175 kilogramë, dhe ”Oportunity” u hodhën në hapësirë nga Kepi Kanaveral i Floridës, respektivisht në qershor dhe në korrik.

Një sondë evropiane që u ul në Mars ditën e Krishtlindjes, ende nuk ka dërguar ndonjë sinjal dhe shkencëtarët e Nasës kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se suksesi në misione të tilla është shumë i vështirë. //az//

XS
SM
MD
LG