Lidhje

Jaap de Hoop Scheffer merr drejtimin e Natos - 2004-01-05


Sekretari i ri i përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer tha se Aleanca e Atlantikut mund të luajë eventualisht një rol në Irak por se duhet të përqëndrohet fillimisht në Afganistan, atje ku ajo ka në plan të zgjerojë rolin paqeruajtës përtej kryeqytetit Kabul.

Zoti Jaap de Hoop Scheffer merr detyrën e mbajtur nga britaniku George Robertson si Sekretari i Përgjithshëm i Natos në një kohë tepër kritike për organizatën. Ai tha se do të përpiqet të sigurojë bashkim në aleancë, e cila pati të çara të thella vitin e kaluar lidhur me luftën në Irak.

Ish ministri i jashtëm hollandez u tha gazetarëve se nuk përjashton një rol të Natos në Irak. Por ai mendon se përparësia kryesore për aleancën duhet të jetë ndihma për të krijuar një Afganistan të qëndrueshëm.

“Vëmendja kryesore për momentin duhet të jetë tek Afganistani. Mendoj se aleanca duhet të vazhdojë atë që ka nisur dhe të përqëndrohet në Afganistan. Përsa i takon Irakut do të presim çfarë do të bëhet dhe sigurisht do të ushtrojmë sa të mundemi ndikimin tonë mbi zhvillimet politike atje", tha zoti Scheffer.

Franca dhe Gjermania të cilat kundërshtuan më me forcë luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, janë përgjigjur me maturi ndaj sugjerimeve që Nato të marrë në dorë drejtimin e divizionin shumëkombësh në Iraku që tani mbahet nga Polonia.

Por diplomatët në selinë e Natos thanë se Parisi dhe Berlini mund të pajtohen me këtë ide kur Shtetet e Bashkuara të fillojë të kalojnë më shumë pushtet tek irakianët.

//rd//

XS
SM
MD
LG