Lidhje

Qeveria e Vietnamit dhunon të drejtat bazë të vietnamezëve - 2004-01-06


Kushtetuta e Vietnamit garanton të drejtën e fjalës dhe lirinë e shtypit. Por në praktikë, qeveria vietnameze vazhdon t’i mohojë këto të drejta. Qershorin e kaluar, Pham Hong Son, me profesion mjek, u dënua me 13 vjet burgim për spiunazh. Pasi ai apeloi, dënimi u pakësua në 5 vjet burgim dhe 3 vjet arrest shtëpie. Dr. Son kishte përkthyer në vitenamisht një ese mbi demokracinë, marrë nga faqja elektronike e Departamentit amerikan të Shtetit.

Më 31 dhjetor, Nguyen Vu Binh, një gazetar vietnamez, u dënua me shtatë vjet heqje lirie dhe tre vjet arrest shtëpie. Zoti Binh u arrestua në Hanoi në shtator 2002, pasi kishte publikuar në internet një numër esesh në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ky nuk ishte rasti i parë që zoti Binh ndeshej me autoritetet vietnameze. Ai u largua nga gazeta e tij në vitin 2001, pasi kërkoi leje së bashku me disidentë të tjerë për të formuar një organizatë të pavarur, e cila do të quhej Partia Liberale Demokratike. Qeveria vietnameze e hodhi poshtë këtë kërkesë. Zoti Binh kishte mbështetur idenë e krijimit të një grupi kundër korrupsionit dhe kishte kritikuar marrëveshjen e kufijve ndërmjet Vietnamit dhe Kinës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli, tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë vendimin e marrë ndaj zotit Nguyen Vu Binh:

“Ky është rasti i tretë që dimë ne për një individ që ka shkruar pikëpamjet e tij në internet. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirje qeverisë së Vietnamit të lirojë menjëherë zotin Binh dhe të gjithë ata që janë burgosur për shprehjen paqësore të pikëpamjeve të tyre. Ne i bëjmë gjithashtu thirje qeverisë së Vietnamit t’i japë fund shtypjes së vazhdueshme të opozitës paqësore,” tha zoti Ereli.

Qeveria e Vietnamit vazhdon të mos i respektojë të drejtat e njeriut. Regjimi vazhdon të persekutojë ata që guxojnë të ngrenë zërin. Populli vietnamez duhet të lejohet të ushtrojë të drejtat e tij bazë.

//ad//

XS
SM
MD
LG